Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro nis zyrtarisht fushatën


Presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka nisur zyrtarisht fushatën e tij të rizgjedhjes në këtë detyrë, në një kohë kur ai renditet keq në sondazhet e deritanishme përkundrejt rivalit të tij të majtë.

Siç shkruan BBC, mijëra mbështetës të presidentit të ekstremit të djathtë u mblodhën në një stadium në Rio de Zhaneiro.

Ai premtoi të mbajë një program të mirëqenies që bën pagesa në para për brazilianët më të varfër.

Rivali i tij i majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, është i njohur gjerësisht për politikat e tij për të nxjerrë njerëzit nga varfëria.

Kandidatura e Bolsonaros u miratua zyrtarisht nga Partia e tij Liberale e krahut të djathtë. Zgjedhjet do të mbahen më 2 tetor.

Gjatë mitingut, Bolsonaro u tha mbështetësve të tij: “Ushtria është në anën tonë”.

“Është një ushtri që nuk e pranon korrupsionin, nuk e pranon mashtrimin.”– shtoi ai sipas BBC-së. Gjenerali Walter Braga Netto, ish-ministër i mbrojtjes, është emëruar si zëvendëspresident i Bolsonaros.

Ndërkohë rivali i majtë Lula, i cili më parë shërbeu si president nga 2003-2010, u emërua zyrtarisht si kandidat nga Partia e Punëtorëve të krahut të majtë të enjten. Disa sondazhe sugjerojnë se ai kryeson deri në 20 pikë përqindjeje.