Vendosni fjalën kyçe....

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë bie në nivelin më të ulët të 17 muajve, duke rritur frikën e recesionit


Aktiviteti i biznesit në Eurozonë ka shënuar tendencë rënëse për herë të parë që nga shkurti i vitit 2021, pasi kompanitë u goditën nga rënia e porosive dhe rritja e çmimeve, duke nxitur pritjet e ekonomistëve për një recesion këtë vit.

Frika se zona e monedhës së vetme me 19 vende po shkon drejt një rënieje të mprehtë u përforcua nga indeksi i menaxherëve të eurozonës të publikuar nga S&P Global për korrikun, i cili të premten tregoi se prodhimi dhe porositë e reja ranë për herë të parë që nga bllokimet e koronavirusit në fillim të 2021.

Perspektiva për eurozonën është përkeqësuar javët e fundit pasi Banka Qendrore Europiane rriti normat e interesit më shumë se sa pritej të enjten, ndërsa Rusia po shtrëngon furnizimet me gaz natyror në Evropë, Italia po përpiqet të kontrollojë krizën politike dhe inflacioni rekord po gërryen shpenzimet e familjeve .

Indeksi PMI, i cili mat aktivitetin si në kompanitë e shërbimeve ashtu edhe në ato prodhuese në të gjithë eurozonën, ra në nivelin më të ulët 17-mujor prej 49.4, nga 52 në qershor. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin pritur një nivel prej 51.

Kjo është hera e parë që indeksi ka rënë nën pikën vendimtare 50 që ndan rritjen nga tkurrja që nga shkurti i vitit 2021, kur bizneset ende po përballeshin me kufizimet e Covid-19.

Euro ra, pas të dhënave të raportit, duke u nënçmuar 0.7 për qind kundrejt dollarit amerikan në 1.015 dollarë. Yield-et e obligacioneve 10-vjeçare gjermane ranë gjithashtu në 1.07 për qind, më e ulëta që nga maji, si pasojë e pritjeve në rritje se një recesion do të bëjë që BQE të ndalojë me rritjen e normave më shpejt se sa pritej.

“Ekonomia e eurozonës duket se po shkon drejt tkurrjes në tremujorin e tretë pasi aktiviteti i biznesit shkoi drejt rënies në korrik dhe treguesit afatgjatë lënë të kuptohet se më e keqja do të vijë në muajt në vijim,” tha Chris Williamson, kryeekonomist i biznesit në S&P Global Market Intelligence.

Fabrikat ulën porositë pasi përjetuan “akumulimin më të madh të mallrave të gatshme të pashitura të regjistruara ndonjëherë”, të shkaktuar nga shitjet më të ulëta se sa pritej, tha S&P Global.

Ai shtoi: “Shërbimet e orientuara nga konsumatori si turizmi dhe rekreacioni, media dhe transporti, ose anë ndalur rritjen, ose po bien”.

Kompanitë kishin një qasje më të kujdesshme për punësimin e stafit dhe pritjet e biznesit për vitin e ardhshëm ranë në nivelin më të ulët që nga maji 2020.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor