Vendosni fjalën kyçe....

Balla në Lushnjë: Gratat dhe non-gratat s’janë alternativë, kundërshtarët tanë s’janë personazhet qesharake në krye të opozitës por zyrtarucët


Taulant Balla ka prezantuar sot kryetarët e rinj të PS-së për Bashkinë e Lushnjës. Balla i cili është dhe drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, tha se procesi i ri-organizimit të partisë, synon përfshirje sa më të madhe të të rinjve dhe rritjen e peshës së grave e të vajzave në drejtimin e strukturës bazë të Partisë Socialiste.

“Vijojmë në Lushnjë një proces ripërtëritës, ri-organizimi të partisë, ku synojmë përfshirje sa më të madhe te të rinjve dhe rritjen e peshës së grave e të vajzave në drejtimin e strukturës bazë të Partisë Socialiste. Jemi partia e vetme në Shqipëri që kemi bashkëdrejtim mes grave dhe burrave në nivel bashkie, por edhe në organizatat tona në çdo lagje qyteti apo në cdo fshat. Duhet të vijojmë të ftojmë sa më shumë vajza dhe gra të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.

Ne socialistët shqiptarë jemi progresistë, nuk jemi konservatorë, jo për definicion, por se na dallon me të tjerët reagimi instiktiv, i përditshëm, refuzimi, dhe përpjekja për të shëruar mekanizmat e korruptuar dhe të dhe që duhet të vazhdojmë të reformojmë.”- shkruan ai.

Sipas Ballës, kundërshtarët e Partisë Socialiste nuk janë personazhet qesharakë në krye të opozitës sot.

“Kundërshtarët tanë nuk janë personazhet qesharakë në krye të opozitës sot, ata i kemi mundur dhe do t’i mundim sa herë t’i kemi përballë. Gratat dhe non-gratat nuk janë alternativë. Kundërshtarët tanë janë ata zyrtarucë në çdo zyrë shteti që shpërdorojnë besimin e qytetarëve dhe të cilët nuk u zgjidhin hallet njerëzve.

Prandaj qasja jonë në qeverisje ka në themel shpirtin e protestës ndaj problemeve me të cilat përballen realisht shqiptarja e shqiptari i thjeshtë cdo ditë, në cdo zyrë shteti, në cdo bashki, në cdo shërbim publik etj.”– shtoi Balla.