Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Jemi kategorikisht kundër amnistisë fiskale, çunat do legalizojnë paratë e krimit, akt me pasoja katastrofale


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediet ka kritikuar nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Sipas tij, amnistia e saj është një goditje shumë e rëndë për bizneset e ndershme dhe për reputacionin e vendit.

 “Problemi i parë që dua të paraqes para jush është amnistia fiskale, një akt me pasoja katastrofale për rendin dhe sigurinë e biznesin në Shqipëri. Duke përshëndetur të gjitha reagimet brenda vendit dhe të huaja, të bëra kundër këtij akti, paralajmëroj gjithashtu qeverinë se amnistia e saj fiskale është një goditje shumë e rëndë për bizneset e ndershme, është një goditje shumë e rëndë për reputacionin e vendit, është një goditje shumë e rëndë për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.

Nëse siç ka qëllim kryesor të legalizojë paratë e krimit, pasi ju e keni të qartë se nuk ka shqiptar të ndershëm i cili me punën shtesë që mund të bëjë, me punën e ndershme, qoftë edhe të paregjistruar, të mund të sigurojë 2 milionë euro kursime, është gjithçka që ka vetëm një synim që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit dhe ne jemi kategorikisht kundër saj.

Gjithashtu, me këtë proces nuk ka diskutim se Edi Rama dhe grupi i tij do të kenë një taksë veças nga ajo që kanë shpallur për shumicën e këtyre shumave të legalizuara. Ky është një shpërblim që njerëzit që merren me trafiqe kriminale nuk e meritojnë kurrë. Ky është shkelmimi i barazihsë dhe parimeve të drejta të biznesit. Këtyre ua rrit taksat në 23%, atyre u thotë për paratë që keni e keni 7 apo 8%.”- deklaroi Berisha.