Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku denoncon projektin e aeroportit të Vlorës: Rama ia dha kompanisë që ka lidhje me të, po ndërtohet në zonë të mbrojtur


Deputetja e PD-së Tabaku ka denoncuar projektin e aeroportit të Vlorës.

Sipas demokrates aeroporti po ndërtohet në një zonë të mbrojtur duke hedhur poshtë deklaratat e ministres së Turizmit Kumbaro si të pavërteta.

“Një projekt që kryeministri e shpalli fituesin dhe vendin e ndërtimit në mars 2021, pak javë përpara ditës së zgjedhjeve. Ministrja Kumbaro ditën e djeshme deklaroi se njolla e projektit ndodhet në një zonë që nuk është zonë e mbrojtur kombëtare. Kjo është në njollën e vjetër të aerodromit. Këtu përpara jush po ju tregoj këtë pamje, në të majtë ne kemi zonën e Vjosë-Nartës e që ka qenë zonë e mbrojtur. Në të djathtë kemi të njëjtin park por që siç e shihni në mes aty ka një njollë aeroporti dhe rruge, tani pikërisht për atë njollë aty zonja Kumbaro thotë që është jashtë zonës së mbrojtur dhe jashtë parkut. Ftoj çdo shqiptar që ta shohë me sytë e tij dhe të gjykojë vetë a është ky aeroport jashtë zonës së mbrojtur? Përveç aeroportit këtu do të ketë dhe një zonë tjetër zhvillimore. Por, përpos shkatërrimit të natyrës dhe ekosistemit duke përdhosur një nga zonat e mbrojtura ligatinore projekti në vetvete është korruptiv.” – tha Tabaku.

Ajo shtoi më tej se kontrata koncesionare me vlerë 138 milionë euro i është dhënë një bashimi kompanish, njëra prej të cilave është e afërt me kryeministrin Rama.

“Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 mln euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompani; e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin. Përpos kësaj, historia e garës së këtij koncesioni me vlerë 138.2 mln euro është e mbuluar me dyshime të mëdha. Pjesëmarrës në garë ka qenë një kompani britanike e cila akuzon qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj. Dy javë përpara përfundimit të garës. Pikërisht pas këtyre ndryshimeve, ka hyrë në lojë konsorciumi fitues që është regjistruar në 1 mars 2021 dhe është shpallur fitues 3 ditë më pas.” – vijoi Tabaku në denoncimin e saj.