Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Braktisi samitin e BE-së se e urdhëroi padroni, vendimet për Shqipërinë merren në Serbi


Kreu i PD-së e ka akuzuar kryeministrin Rama si vasal të presidentit serb Vuçiç pas deklaratës së djeshme të kreut të qeverisë se mund të mos marrë pjesë në Samitin e BE-së në Bruksel në datat 23-24 qershor.

Në një tryezë me temë ‘Të kthejmë Shqipërinë në rrugën europiane’, ai tha se vendimet për Tiranën merren në Beograd si asnjëherë më parë që nga viti 1945.

Po kështu ai dënoi nismën Ballkani i Hapur si nismë ruso-serbe që largon Shqipërinë nga integrimi në BE.

“Ky vendim për të mos shkuar në samitin e BE-së shpallet fillimisht në Beograd nga padroni i tij, ndërsa vasali bën çfarë i thotë padroni. Po ai të paktën me njëfarë etike thotë do mbledh qeverinë. Kurrë më parë fati i Shqipërisë që nga viti 1945 nuk është përcaktuar në Beograd siç përcaktohet sot. Aleanca Beograd-Tiranë-Shkup është proruse dhe anti Bashkim Europian. Edi Rama paralajmëroi se do ndryshojë drejtim dhe dje ai e bëri këtë gjë. Dje ai zgjodhi Beogradin. Mes Procesit të Berlinit dhe Ballkani të Hapur ruso-serb zgjodhi këtë të fundit.” – tha Berisha.