Vendosni fjalën kyçe....

Mbështetja e arsimimit, studentët do kthejnë paratë nëse nuk realizojnë detyrimet


Të paktën 35 programe studimi në 13 fusha janë shpallur si prioritet kombëtar dhe qeveria do të mbështesë financiarisht studentët me rezultate të larta që do t’i ndjekin ato.

Kemi të bëjmë me fusha si Gjuhë-Letërsia, Matematika, Turizmi, disa programe inxhinierie naftë e gazi, miniera apo menaxhim detar e navigacion.

Një pjesë e mirë e këtyre degëve kanë pësuar ndër vite edhe një rënie drastike të numrit të atyre që i përzgjedhin si program siç është matematika apo disa inxhinieri specifike teksa disa programe nxiten nga kërkesa e zhvillimit të tregut.

Vendimi i fundit i qeverisë sanksiononin se cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë studentët që do të mbështeten financiarisht gjatë ciklit të studimit si dhe kushteve që ata duhet të plotësojnë si fillim.

“Mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit ose të ardhura të tjera të ligjshme, për vitin akademik 2022–2023, e në vijim, të studentëve shtetas shqiptarë, të pranuar në institucionet publike të arsimit të lartë, që nuk janë njëkohësisht përfitues të ndonjë financimi tjetër nga shteti shqiptar dhe që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Studenti me notë mesatare në pranim, që: i. ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00; ii. në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore është vlerësuar me jo më pak se nota e shkallëzuar 9.5 deri në 10.00.

b) Studenti fitues i njërit prej tri çmimeve të paranë olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, pavarësisht notës mesatare, kur pranohet në programe studimi, që lidhen me lëndën/disiplinën ku ka fituar çmimin;

c) Studenti, i cili ka zgjedhur të ndjekë një prej programeve të studimit, që përbën prioritet kombëtar dhe që ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare, jo më pak se 8.5,” thuhet në vendim.

I njëjti vendim përcakton se mbështetja për studentin do të lidhet direkt me pagesën e tarifës së shkollës si dhe një vlerë të barabartë me nivelin e pagës minimale që i jepet çdo muaj. Studentët pas mbarimit të shkollës do të duhet që të japin kontributin e tyre të paktën 3 vjet duke punuar në profesionin që janë shkolluar.

Nëse studentët nuk përmbushin detyrimet gjatë shkollimit apo ndërpresin studimet atëherë ata janë të detyruara të kthejnë pas shumat financiare të marra 6 muaj nga njoftimi që do t’iu bëhet nga autoritetet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor