Vendosni fjalën kyçe....

Pamjet e aksionit policor që çoi në arrestimin e Agim Kajmakut


Këto janë pamjet e aksionit për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto-s në Itali.

Agim Kajmaku ishte së bashku me nipin e tij.

Droga u zbulua në një fidanishte përgjatë Valtesino, në Grottammare mes 25-26 majit 2022. Policia arrestoi disa persona, mes të cilëve ish-kryebashkiakun socialist të Vorës, i cili humbi mandatin pak muaj pasi ishte zgjedhur si kryebashkiak, për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas mediave italiane, sasia e madhe e drogës ishte fshehur mes vazove të bimëve që kishte blerë Kajmaku.

Ish-kryebashkiaku dhe nipi i tij kishin blerë bimët e vogla në fidanishte, por më pas i vendosën në vazo më të mëdha që i blenë në një biznes lokal, në mënyrë që të fshihnin drogën brenda.

Para se të bëhej ndryshimi, pronari i fidanishtes lajmëroi policinë italiane, të cilët më pas arrestuan Kajmakun dhe nipin e tij.

Agim Kajmaku u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet locale të vitit 2017, ku opozita nuk mori pjesë, por pas denoncimeve të PD-së që i zbuluan atij një dënim të padeklaruar në Greqi për falsifikim parash, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra si dhe u shpall në kërkim nga Policia.

Në ditën që u shkarkua nga KQZ-ja ai firmosi shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë, gjë që e rëndoi pozicionin e tij pasi u akuzua edhe për përdorim të postit pas lirimit.

Pasi 8 muaj arrati, Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore. Por u lirua nga Gjykata e ditën tjetër e cila caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.