Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia të aplikojë gjoba për keqtrajtuesit e kafshëve në kopshtin zoologjik


Nga Edmond Arizaj

Bashkia duhet të aplikojë gjoba për keqtrajtuesit e kafshëve dhe të paedukuarit në kopshtin zoologjik

Tigri nuk donte të çohej. Ishte shtrirë dhe pushonte në vapë. Po burri 50 e kusur vjeçar me tatuazhe, s’donte t’ia dinte. Ai dhe një turmë 10-15 vetëshe, kishin ndezur celularët dhe donin video e foto me tigrin në këmbë, jo shtrirë dhe s’mund të prisnin. Prandaj i bërtisnin, e godisnin me gurë të vegjël, i binin rrethimit me shkelma, por tigrit nuk ia ndiente, as sytë nuk i hapte t’u jepte ndonjë pozë, vetëm tundte bishtin.

Në fund i tatuazhuari, me trimëri kapi një shkop të gjatë nga ata që përdoret për nevojat e punëtorëve të kopshtit zoologjik dhe ia fut tigrit në ije. Macja e madhe kërcen në pozicion sulmi. Por tatuazhisti dhe të tjerët u kënaqën duke shkrepur foto. Madje edhe i skërmiteshin tigrit. Një plakë, me nipin përdore vetëm belbëzoi: Maskarenjtë, hiqen trima se janë telat.

Në fakt nuk duhet të jetë tigri “hakmarrësi”. Bashkia ka bërë një punë të mirë. Ajo hapësirë është aq ndjellëse, çliruese dhe argëtuese për të rritur e fëmijë. Nëse do duam të kritikojmë ka plot për të thënë, sepse kushdo ka parë më mirë diku jashtë. Por kritika nuk duhet kthyer në patologji. Ama bashkia nuk mund të lejojë që kafshët me dy këmbë të torturojnë kafshët brenda gardhit. Gjobë dhe e majme madje duhet aplikuar. Ndryshe nuk edukohemi.

Se përshëmbull, në zonën e dinosaurve, nuk po flas për shprehjen e një gruaje të djersitur që shfryu “u, po këta s’qenkan të gjallë”, por po flas për tabelën e madhe që thoshte “mos prek” (për shkak se dëmtoheshin) por që në fakt të mëdhenjtë, se fëmijëve edhe u falet, jo vetëm preknin, por provonin t’u shkulnin dhëmbët dinosaurve, i tërhiqnin krahët e vegjël Tirexit, godisnin me shqelm veloçeraptorin…

Nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt aty do mbeten ca mekanizma dhe tabelat në anglisht…

Tabela të tjera shkruanin me të madhe: Mos ushqe kafshët. E pamundur. Njësoj sikur thoshte të kundërtën…

Apo të tjerë që përpiqeshin të gjuanin me gurë shqiponjën të fluturonte (edhe ajo për qamet se i hapte krahët)…

Po e përsëris, bashkia duhet të aplikojë gjobat. Ndryshe nuk edukohemi.