Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata vendos kundër prishjes së dy pallateve në Kombinat, Kryemadhi: SPAK të hetojë Bashkinë Tiranë e institucionet e tjera


Kryetarja e LSI-së Kryemadhi ka përgëzuar banorët e Kombinatit pas vendimit të Gjykatës Administrative në favor të tyre kundër prishjes së dy pallateve nga Bashkia e Tiranës.  

Ajo shkruan se banorët që rezistuan patën fitoren e tyre të parë pas vendimit në favor të tyre.

“Respekt të pafund për banorët qëndrestarë të Kombinatit! Miq, dje Gjykata Administrative ka dhënë vendimin e radhës në favor të banorëve dhe kundër dyshes Rama-Veliaj, për prishjen e pallateve në Kombinat duke u justifikuar pas dëmeve të tërmetit.Banorët qëndrestarë patën dje fitoren e radhës! Në lidhje me Pallatin 141, gjykata ka vendosur kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës për ta shembur pallatin. Në lidhje me Pallatin 153, tashmë të rrafshuar përdhe, gjykata e ka cilësuar të padrejtë vendimin për prishje të Bashkisë, si dhe vetë prishjen e pallatit.” – shkruan Kryemadhi.

Ajo shton më tej se LSI i nxiti banorët më 4 nëntor 2020 që të kërkonin garanci ligjore përmes një kontrate me bashkinë.

Po kështu Kryemadhi i bën thirrje SPAK-ut që të nisë një hetim të thelluar mbi dokumentacionin e parregullt që ka prodhuar bashkia Tiranë si dhe institucionet e tjera për të justifikuar shembjet e palleteve në Kombinat.  

“Në 4 Nëntor 2020, në takim me banorët e Kombinatit i nxitëm të kërkonin garanci ligjore përmes kontratës nga Bashkia Tiranë. Në atë kohë fushata e përbaltjes nga Rama-Veliaj mbushi mediat e tyre, duke e zhvendosur thelbin e bisedës nga ligjore, në propagandistike. SPAK duhet pa humbur kohë të nisë një hetim të thelluar, mbi dokumentacionin e parregullt që ka prodhuar Bashkia Tiranë dhe institucionet qendrore për të justifikuar shembjen e Kombinatit, si dhe dëmin financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga këto vendime të padrejta. Edhe njëherë, kjo është një fitore e banorëve qëndrestarë, si dhe të avokatëve të tyre, që luftuan deri në fund, me vullnet, fakte dhe prova, duke refuzuar çdo “blerje” nga pushteti i Bashkisë së krimit. Ky është shembulli se si qytetaria fiton dhe e mund autokracinë, përmes bashkimit dhe qëndresës pa kushte!” – mbyll shënimin Kryemadhi.