Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina do ndalojë veprën ‘Lufta dhe Paqja’


“Lufta dhe Paqja” e Leon Tolstoit dhe vepra të tjera që supozohet se lavdërojnë ushtrinë ruse nuk do mësohen më në shkollat ​​e Ukrainës, njoftoi të martën ministria e Arsimit e Kievit.

Kryevepra e njohur ndërkombëtarisht e Tolstoit bashkohet me libra të tjerë klasikë rusë të ndaluar në Ukrainë shumë kohë përpara konfliktit të tanishëm.

“Të gjitha këto do përjashtohen plotësisht nga literatura.” – tha zëvendësministri i Arsimit Andrey Vitrenko në një intervistë me kanalin televiziv Ukraine 24.

“Pra, për shembull, ‘Lufta dhe Paqja’ nuk do studiohet më në Ukrainë.”

Ministria është ende duke punuar në listën përfundimtare të veprave të shkrimtarëve rusë që do të përjashtohen nga kurrikula, shtoi Vitrenko.

Komentet e tij pasojnë njoftimin e muajit të kaluar nga Ministria e Kulturës se veprat e letërsisë ‘që promovojnë propagandën ruse’ do hiqen nga bibliotekat e Ukrainës dhe do zëvendësohen me libra ukrainas.

“Propaganda është një armë e rrezikshme. Gënjeshtrat ruse janë helm sot rreth e qark.” – tha zëvendësministrja Larisa Petasyuk në Facebook asokohe.

Vepra e njohur e Tolstoit për Perandorinë Ruse gjatë luftërave të Napoleonit u botua fillimisht pjesë-pjesë midis 1865 dhe 1867. Që atëherë vepra voluminoze është përkthyer në shumë gjuhë botërore dhe është përshtatur edhe në ekran në më shumë se një rast, së fundmi në vitin 2016.

Megjithatë, Kievi i ka ndaluar veprat e artit rus dhe mësimin e gjuhës shumë kohë përpara konfliktit të tanishëm.

Në mars 2019, qeveria ukrainase ndaloi rreth 40 vepra arti për shkak të përmendjes së bizneseve ruse, artistëve, rrjeteve sociale, portaleve të internetit, Bashkimit Sovjetik ose figurave politike sovjetike. Ndër veprat e ndaluara me atë rast ishte romani i Mikhail Bulgakov ‘Mjeshtri dhe Margarita’, i cili gjithashtu ishte censuruar në Bashkimin Sovjetik.