Vendosni fjalën kyçe....

INSTAT: Informaliteti i punës në sektorin jobujqësor u rrit në 2021, arriti në 29.4%


Rikthimi drejt normalitetit i tregut të punës në vitin 2021 rriti më tej treguesit e informalitetit.

INSTAT raportoi se, gjatë vitit të kaluar punësimi informal në sektorin jobujqësor arriti në 29.4% të totalit me rritje 0.3 për qind në raport me vitin 2020.

Informaliteti në tregun e punës është mjaft i përhapur në vendin tonë. Ndonëse aksionet kundër informalitetit e kanë targetuar punësimin, fenomeni mbetet rezistent ndër vite. Zënia me punë, duke shmangur pagesën e sigurimeve dhe taksave të tjera, shihet qartë tek treguesit e punësimit nga Anketa e Forcave të Punës.

Sipas të dhënave të vitit 2021 nga rreth 1,2 milionë persona që raportohen si të punësuar, vetëm 48% prej tyre janë të punësuar me pagë.

Institucionet financiare ndërkombëtarë e llogarisin infomalitetin në përmasa edhe më të mëdha. Psh Departamenti i Punës në Kombet e Bashkuara (ILO) përllogarit se Shqipëria ka punësimin ne të zezë gati dyfish më të lartë se mesatarja europiane dhe një nga nivelet më të larta në rang europian.

Sipas të dhënave që i takojnë vitit 2019, ILO përllogarit se punësimi informal në Shqipëri është 56.7% e totalit të punësuarve. Po në këtë vit INSTAT përllogarit se, informaliteti në tregun e punës ishte 30%

Shqipëria ka ende një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar në tregun e punës e cila mund të përdoret për të ulur deficitet e skemës se pensioneve dhe të sigurimeve shëndetësore.

Informaliteti në Shqipëri mbetet shqetësues edhe për biznese dhe persona që veprojnë brenda kontureve të ligjit dhe shfrytëzojnë dobësitë e tij duke krijuar evazion fiskal.

Rastet tipike përfshijnë punën e padeklaruar, ku njësitë ekonomike me dashje shmangin taksimin e punës duke dhënë rroga cash që në Shqipëri njihet gjerësisht si “paga e zarfit”.

Tregu i punës në Shqipëri po përballet me sfida që po vijnë nga krizat e njëpasnjëshme ekonomike, zhvillimet e pafavorshme demografike me plakje të popullsisë dhe emigrimit të lartë të të rinjve.

Informaliteti i lartë përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka nisur të materializohet në një plagë sociale.

Mijëra persona qe po dalin aktualisht në pension nuk arrijnë të përmbushin kushtet, duke përfunduar me pagesa minimale. Dy vitet e fundit vlera e pensioneve të reja po vjen me ulje pikërisht se përfituesit kanë pak vite me sigurime. Për këtë arsye, numri i personave që po trajtohen me pension social po rritet me shpejtësi.

Problemet e sotshme të tregut të punës pritet të prodhojnë një shtresë të varfër pensionistesh në vijim./ B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor