Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet në kërkim edhe Ardian Kola, ish-kreu i Kadastrës dhe i PS-së që firmosi certifikatën e pronësisë për tokën e tjetërsuar në Sarandë


Pas operacionit të prokurorisë për tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë, është shpallur në kërkim një tjetër zyrtar, Ardian Kola, ish-drejtues i ASHK Sarandë.

Sipas “Balkanweb” që ka publikuar një dokument, Kola ka firmosur certifikatat e pronësisë për trojet e përfituara me dokumente false.

Ardian Kola ka drejtuar ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020. Ai ka qenë gjithashtu kryetar i Partisë Socialiste në periudhën maj 2018 – tetor 2020.

Më herët, në kërkim u shpallën edhe dy biznesmenët vëllezër: Behar dhe Bedri Mucobega, përkatësisht 40 dhe 51-vjeç.

Sipas policisë, Behar Muçobega akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa i vëllai Bedri Muçobega akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ata akuzohet si përfitues të trojeve përmes dokumenteve të falsifikuara.

Operacioni i djeshëm i Prokurorisë për tjetërsimin e një toke 10 mijë metra katrorë çoi në pranga disa zyrtarë: shefin e Urbanistikës në bashkinë e qytetit, si dhe juristen e ASHK-së.