Vendosni fjalën kyçe....

Ish-shefi i “Formula 1” kapet në Brazil me armë pa leje


Ish-shefi i “Formula 1”, Bernie Ecclestone, u arrestua në Brazil të mërkurën vonë për armëmbajtje pa leje, teksa hipte në një aeroplan privat për në Zvicër.

Reuters shkruan se policia braziliane i gjeti atij një armë “LW Seecamp .32” pa dokumente në bagazhin e makinës gjatë një ekzaminimi me rreze X. Më pas Ecclestone u arrestua dhe u dërgua në një strukturë paraburgimi në aeroportin Viracopos në Campinas.

Ecclestone pranoi se e kishte armën, por tha se ai nuk ishte në dijeni se e kishte në bagazhin e tij në atë kohë. Britaniku pagoi garancinë dhe u la i lirë të udhëtonte për në Zvicër.

91 vjeçari është i martuar me Fabiana Ecclestone me origjinë braziliane, një zëvendëspresidente e FIA-s dhe anëtare e Këshillit Botëror të Sportit Motorik.

Në muajin Maj, çifti mori pjesë në disa ngjarje në vendin e Amerikës së Jugut, duke përfshirë një garë “Stock Car” në një fshat afër Sao Paulos dhe një takim me kampionin e trefishtë të botës Nelson Piquet në Brasilia.