Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA-ja e gatshme të furnizojë me armë Moldavinë” – Kongresmeni amerikan


SHBA është gati të furnizojë me armë Moldavinë dhe çështja është duke u diskutuar me autoritetet e vendit, tha Gregory Meeks, i cili kryeson Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.

Ai e bëri deklaratën të shtunën në një konferencë shtypi në kryeqytetin moldav Kishinau, ku mbërriti si pjesë e një delegacioni ligjvënësish amerikanë për bisedime me zyrtarë të lartë nga Moldavia.

“Qëndrimi im është se ne duhet të flasim me qeverinë e Moldavisë. Ne duhet të sigurohemi që jemi dakord për atë që duhet të ndodhë.” – tha demokrati i Nju Jorkut, duke komentuar mundësinë e dërgimit të armëve amerikane në ish-republikën sovjetike.

“Nuk dua të kapërcej atë që kërkon dhe dëshiron udhëheqja moldave. Mendoj se duhet të ketë një bisedim mes dy vendeve tona.” – shtoi ai.

 “SHBA do e mbështesë Moldavinë.” – tha Meeks, duke shtuar se një unitet dhe bashkëpunim i tillë ishin arsyet pse ‘Ukraina ka qenë e suksesshme dhe ky rajon do të jetë i suksesshëm’.

Të premten, Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, zbuloi se Londra ishte gjithashtu në bisedime me aleatët e saj me synimin për ta parë Moldavinë ‘të pajisur me standardet e NATO-s’. Kombi i vogël mund të bëhet viktimë e ‘ambicieve të Vladimir Putinit për të krijuar një Rusi më të madhe’, pohoi ajo.

Moldavia është një komb me 2.6 milionë banorë, i vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë. Duke pasur asnjanësinë të sanksionuar në Kushtetutën e saj, ajo nuk është anëtare e BE-së apo NATO-s dhe konsiderohet si një nga vendet më të varfra të Evropës.