Vendosni fjalën kyçe....

Fauci thotë se do largohet nga detyra nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë


Kryekëshilltari mjekësor i Shtëpisë së Bardhë Anthony Fauci ka deklaruar se nëse ish-presidenti Donald Trump fiton përsëri presidencën në vitin 2024, ai do të largohet nga detyra.

Fauci i cili është këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden, i dha një “jo” të qartë gazetarit të CNN, Jim Acosta kur u pyet nëse ai do të punonte përsëri me Trump.

“Jo! Nëse shikoni historinë e përgjigjes gjatë administratës (së Trump), unë mendoj se nuk ishte optimale. Historia do të flasë vetë për këtë.”- u përgjigj Fauci, sipas The Hill.

Trump ka shprehur disa herë synimin e tij për të kandiduar në vitin 2024, por nuk ka shpallur zyrtarisht ende një ofertë presidenciale.

Kujtojmë se Fauci disa muaj më parë njoftoi se po shqyrtonte mundësinë për t’u larguar nga pozicioni që ai ka mbajtur për gati katër dekada dhe të dalë në pension.