Vendosni fjalën kyçe....

Pas fitores në “Eurovision”, Orkestra Kalush publikon videoklipin e ri të këngës “Stefania” të xhiruar në qytetet e sulmuara nga rusët


Pas fitores së shënuar në skenën e “Eurovision”-it të këtij viti të mbajtur në Torino, grupi ukrainas Orkestra Kalush ka prezantuar një videoklip të ri të këngës së tyre fituese “Stefania”, të xhiruar në periferitë e goditura nga sulmet ruse në: Kiev, Bucha, Irpin, Hostomel dhe Borodianka.

Videoja është publikuar në kanalin zyrtar të grupit në YouTube.

“Kjo video është filmuar në Bucha, Irpin, Borodianka, Hostomel, qytete afër Kievit që kanë vuajtur tmerret e pushtimit rus.”- tha grupi sipas Ukrinform.

Muzikantët ia kushtuan punën e tyre “popullit trim ukrainas, nënave që mbrojnë fëmijët e tyre, të gjithë atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë”.

Natën e kaluar, Orkestra Kalush fitoi finalen e “Eurovision Song Contests 2022” me këngën e tyre “Stefania”. Pas performancës së tyre, muzikantët i bënë thirrje botës që të ndihmojë Mariupolin dhe luftëtarët ukrainas, të cilët mbeten të bllokuar në fabrikën e çelikut Azovstal.