Vendosni fjalën kyçe....

BE njofton rritjen e ndihmës ushtarake për Kievin


Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, njoftoi të premten se blloku do të sigurojë 500 milionë euro shtesë në ndihmë ushtarake për Ukrainën në mes të konfliktit midis Moskës dhe Kievit.

Duke folur me gazetarët në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Gjermani, ai shpjegoi se kësti i ri, i cili do të jetë i katërti i dhënë Kievit nga BE, do të ndahet për blerjen e armatimit të rëndë duke përfshirë makina të blinduara, tanke dhe artileri e do e çojë ndihmën e bllokut për Ukrainën në rreth 2 miliardë euro.

Shefi i politikës së jashtme shprehu gjithashtu shpresën se blloku do të arrijë një marrëveshje në lidhje me embargon ndaj naftës ruse në ditët në vijim, duke vënë në dukje se nëse nuk arrihet një marrëveshje në nivelin e ambasadorëve, çështja do të diskutohet gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Jam i sigurt se do të kemi marrëveshje. Na duhet dhe do e kemi. Duhet të heqim qafe varësinë e naftës nga Rusia.” – tha ai.

BE njoftoi këstin e saj të parë, i cili do të mbulonte dorëzimin e armëve me vlerë 500 milionë dollarë në Kiev, menjëherë pasi Rusia filloi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë në fund të shkurtit.

Pavarësisht kësaj Kievi ka këmbëngulur vazhdimisht se komuniteti ndërkombëtar duhet të ofrojë shumë më tepër mbështetje financiare dhe ushtarake.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar që NATO ose të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, ose t’i sigurojë Kievit mjetet për ta bërë këtë vetë, si sistemet e mbrojtjes kundërajrore dhe avionët luftarakë.