Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA është ‘përhapësi më i madh i dezinformatave’ në botë” – Senatori kundërshton ‘Ministrinë e së Vërtetës’


Për shkak të historisë së saj të gjatë të dezinformatave, qeveria amerikane nuk ka të drejtë t’i tregojë popullit amerikan se cila është e vërteta, ka deklaruar senatori i Kentakit Rand Paul. Ai renditi një sërë shembujsh se ku Uashingtoni i kishte gënjyer njerëzit e tij dhe pjesën tjetër të botës.

Gjatë një seance dëgjimore të Senatit të mërkurën, Paul ‘e poqi në skarë’ Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas për të ashtuquajturin ‘Bordi i Qeverisjes së Dezinformimit’, agjenci që supozohet se do ndihmojë platformat e mediave sociale të filtrojnë ‘lajmet e rreme’.

“Këtu është problemi, ne as nuk mund të pajtohemi se çfarë është dezinformimi.” – vuri në dukje senatori republikan.

“Ju nuk mund të pajtoheni as nëse ishte dezinformatë ajo që thatë lidhur me rusët për dosjen Steele.”

Ai i referohej raportit të diskutueshëm dhe kryesisht të diskredituar që mbështetej në informacione nga burime anonime që pretendonin për marrëveshje të fshehtë midis fushatës së ish-presidentit Donald Trump dhe Moskës përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

“Nëse nuk mund të pajtoheni me këtë, si do të arrijmë ndonjëherë në një marrëveshje për atë që është dezinformim, në mënyrë që ta kontrolloni atë në mediat sociale?” – shtoi Paul.

“A e dini se kush është përhapësi më i madh i dezinformatave në historinë e botës? Qeveria amerikane!” këmbënguli ai.

Për të mbështetur pretendimin e tij, Senatori përmendi disa shembuj të informacionit të rremë që u përhap qëllimisht nga Uashingtoni gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.

Midis tyre ishin të ashtuquajturat dokumente të Pentagonit, të cilat zbuluan se qeveria amerikane kishte keqinformuar publikun për shkallën e operacioneve të saj ushtarake gjatë Luftës së Vietnamit. Dokumentet u deklasifikuan zyrtarisht në vitin 2011, por media kishte raportuar për to që nga viti 1971.

Paul përmendi gjithashtu rastin e ‘George W. Bush dhe armët e shkatërrimit në masë’, duke iu referuar pretendimeve amerikane se regjimi i Saddam Hussein kishte armë të shkatërrimit në masë, pretendime që u përdorën nga SHBA për të justifikuar pushtimin e Irakut në 2003.

Shembulli tjetër i tij ishte çështja Iran-Contra, ku zyrtarët e lartë amerikanë organizonin fshehurazi shitjen e armëve Iranit në shkelje të një embargoje armësh midis 1981 dhe 1986, me qëllim që të merrnin para për të financuar grupin kryengritës Contras në Nikaragua.

“Dua të them, mendoni për të gjitha debatet dhe mosmarrëveshjet që kemi pasur gjatë 50 viteve të fundit në vendin tonë. Ne i përpunojmë ato duke i debatuar. Ne nuk i përpunojmë ato nga qeveria që është gjyqtari.” – tha senatori.

Krijimi i Bordit të Qeverisjes së Dezinformimit u njoftua në fund të prillit. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), organi i ri do të ndihmojë kundër dezinformimit, i cili po përhapet nga ‘shtetet e huaja si Rusia, Kina dhe Irani’ dhe nga trafikantët e qenieve njerëzore që veprojnë në kufirin SHBA-Meksikë, ndër të tjera. .

DHS dha garanci se ai nuk do të synojë qytetarët amerikanë. Por kritikët nxituan ta emërtonin bordin ‘Ministria e së Vërtetës’, sipas një organizate imagjinare nga romani ikonik distopian i George Orwell ‘1984’.