Vendosni fjalën kyçe....

Bankat fshinë katër miliardë lekë kredi të humbura vitin e kaluar


Sektori bankar fshiu rreth katër miliardë lekë kredi të humbura vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e kredive të nxjerra jashtë bilanceve shënoi rritje me rreth 33% krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, vlerat e kredive të fshira ngelen relativisht të ulëta krahasuar me nivelet e viteve të mëparshme.

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë periudhës janar 2015 – dhjetor 2021 bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre më shumë se 70 miliardë lekë kredi të humbura. Vlera e kredive të fshira është sa rreth 175% e vlerës aktuale të kredive me probleme dhe jep një ide të qartë të ndikimit të madh që fshirjet kanë pasur në pastrimin e portofoleve të sektorit bankar, sidomos në periudhën 2015-2019. Në pjesën më të madhe, kreditë e fshira nga bilancet e bankave vitin e kaluar ishin kryesisht kredi në monedhën euro të mbajtura nga bizneset.

Nxjerrja e kredive jashtë bilancit konsiston në një teknikë kontabilizimi që ndikon në uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë impakt financiar në performancën e tyre.

Kreditë e klasifikuara si të humbura duhet detyrimisht të provigjionohen në masën 100%, çka nënkupton njohjen e plotë të humbjeve prej tyre në bilanc qysh para fshirjes. Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit gjithashtu nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të tyre.

Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë.

Gjatë vitit 2021, cilësia e kredisë shënoi përmirësime të mëtejshme dhe raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 5.6%, 1.5 pikë përqindje më pak krahasuar me një vit më parë. Stoku i kredive me probleme u zvogëlua në 40 miliardë lekë, në rënie me 15% ose rreth 7 miliardë lekë krahasuar me vitin 2020.

Në tkurrjen e stokut të kredive me probleme ndikimin më të madh e ka dhënë ristrukturimi i një pjese të kredive me probleme, i ndjekur nga fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave dhe zvogëlimi i fluksit të kredive performuese që kanë kaluar në klasat e kredive me probleme.

Raporti mes fluksi të kreidve të reja me ndaj tepricës së kredive të rregullta në fund të vitit 2021 ishte 1.5% dhe kjo vlerë ishte më e vogël krahasuar me vitin 2020. Gjithashtu, norma e rikuperimit të kredive me probleme (Fluksi i ri i kredive me probleme që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti ndaj tepricës së kredive me probleme) arriti në 15%, nga 6% që kishte qenë një vit më parë.

Në krahasim me vitin 2020 bankat kanë raportuar përmirësim të cilësisë së kredisë kryesisht për kredinë me maturitet afatgjatë, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë. Këto portofole të kredisë kanë në të njëjtën kohë vlerat më të larta të raportit të kredive me probleme.

Në fund të vitit 2021, raportet e kredive me probleme për kredinë për bizneset ishte 6.6%, për kredinë në valutë 5.7% dhe për kredinë afatgjatë 5.5%.

Cilësia e kredisë në valutë të pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit është përmirësuar dukshëm në krahasim me një vit më parë. Raporti i kredive me probleme për këtë portofol të kredisë ra në 4.7% në fund të vitit 2021, nga 7.1% që kishte qenë një vit më parë. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor