Vendosni fjalën kyçe....

Ukrainasi më i pasur zotohet të rindërtojë vendin


Miliarderi Rinat Akhmetov, njeriu më i pasur në Ukrainë, është zotuar të rindërtojë vendin në mes të operacionit ushtarak të Rusisë, në një intervistë me ‘Reuters’ të publikuar të shtunën.

“Ne do të rindërtojmë të gjithë Ukrainën. Unë besoj se ne të gjithë do të rindërtojmë një Ukrainë të lirë, evropiane, demokratike dhe të suksesshme.” – tha Akhmetov.

Dikur i njohur si ‘pronari i Donbass’ për asetet e tij në rajon, ai tha se do të fillojë rindërtimin me qytetin e Mariupolit, ku kompania e tij metalurgjike ‘Metinvest Group’ zotëron dy fabrika të mëdha çeliku, ‘Azovstal’ dhe ‘Ilyich Iron and Steel Works’.

Në fillim të kësaj jave, kompania raportoi se Ukraina kishte humbur deri në 40% të kapaciteteve të saj metalurgjike që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë në tokën e saj.

‘Metinvest’, prodhuesi më i madh i çelikut në Ukrainë, tha gjithashtu se ndërmarrjet e saj nuk do të operonin në territoret e kontrolluara nga Rusia të vendit, duke shtuar se rrethimi i Mariupolit kishte çaktivizuar mbi një të tretën e kapacitetit të prodhimit të metalurgjisë së Ukrainës.

 “Ambicia ime është të kthehem në një Mariupol ukrainas dhe të zbatoj planet tona të prodhimit të ri në mënyrë që çeliku i prodhuar nga Mariupol të mund të konkurrojë në tregjet globale si më parë.” – tha Akhmetov.

Biznesmeni është qytetari më i pasur i Ukrainës, sipas vlerësimeve të Forbes. Pasuria e tij aktualisht është rreth 7.6 miliardë dollarë.

Më 23 shkurt, një ditë para se Rusia të niste operacionin në Ukrainë, ai njoftoi se kishte paguar 1 miliard hryvna ukrainase (33.7 milionë dollarë) taksa në buxhetin e vendit përpara afatit.

Ai vuri në dukje se u kthye në vend në të njëjtën ditë dhe nuk është larguar që atëherë, megjithëse shumë biznesmenë të tjerë janë larguar nga Ukraina për shkak të konfliktit.