Vendosni fjalën kyçe....

“Ukraina e gatshme të luftojë Rusinë edhe për 10 vjet të tjera” – Zelensky


Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territoret e saj dhe është e gatshme, nëse nevojitet, të luftojë me Rusinë ‘për dhjetë vjet’, tha presidenti i vendit Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se për Ukrainën ‘beteja për Donbassin është shumë e rëndësishme’ për një sërë arsyesh.

Ai shpjegoi se kjo betejë mund të ndikojë në ‘rrjedhën e gjithë luftës’. Megjithatë, presidenti theksoi se zgjidhja e preferuar e konfliktit është ajo diplomatike.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga territori ynë, por duhet të gjejmë një lloj dialogu me Rusinë.” – tha Zelensky, duke nënvizuar se asnjë bisedë nuk mund të zhvillohet ‘në bazë të ultimatumit rus’.

Ai theksoi se nevojitet një dialog për të parandaluar më shumë vdekje, por nuk ka përjashtuar një mundësi tjetër.

“Ne mund të luftojmë Federatën Ruse për 10 vjet.” – tha Zelensky.

Ai tha se forcat ukrainase në Donbass janë disa nga ‘ushtarakët më të mirë’ që ka vendi.

“Është një grupim i madh. Dhe Rusia dëshiron t’i rrethojë dhe t’i shkatërrojë.” – tha ai.

Ai sqaroi se ishte fjala për ‘44 mijë ushtarakë profesionistë që i mbijetuan një lufte të madhe nga fillimi i vitit 2014’.

“Prandaj është shumë e rëndësishme për ne që ta ruajmë atë pjesë të ushtrisë sonë.” – nënvizoi presidenti.

I pyetur nga prezantuesi i CNN nëse Ukraina do të ishte fituese në konflikt, Zelensky tha: “Po, sigurisht.”