Vendosni fjalën kyçe....

Tri netë trazira në Suedi gjatë tubimit të ekstremit të djathtë anti-islam


Suedia jugore pa një tjetër natë trazirash të shtunën mbi planet e një partie politike të ekstremit të djathtë anti-islam për të djegur një Kuran.

Policia tha se deri 100 persona kryesisht të rinj hodhën gurë, i vunë zjarrin makinave, gomave dhe koshave të mbeturinave  dhe vendosën një gardh pengues në qytetin e Landskrona pasi autoritetet zhvendosën një demonstratë të planifikuar atje nga partia daneze Stram Kurs në qytetin në afërsi të Malmos.

Situata u qetësua në Landskrona të shtunën vonë, por mbeti e tensionuar, tha policia, duke shtuar se nuk u raportuan të lënduar në aksion.

Kim Hild, zëdhënëse e policisë në Suedinë jugore, kishte thënë më herët të shtunën se policia nuk do të revokojë lejen për demonstratën e Landskrona të organizuar nga partia Stram Kurs sepse pragu i fjalës së lirë për ta bërë këtë është shumë i lartë në Suedi.

E drejta e protestuesve “për të demonstruar dhe për të folur peshon jashtëzakonisht, shumë dhe duhet një përpjekje e jashtëzakonshme që kjo të injorohet”, tha Hild për agjencinë suedeze të lajmeve TT.

Që nga e enjtja, përleshje janë raportuar gjithashtu në Stokholm dhe në qytetet Linkoping dhe Norrkoping – të gjitha vendet ku Stram Kurs ose planifikonte ose kishte demonstrata.

Të premten në mbrëmje, përleshjet e dhunshme midis demonstruesve dhe kundër-protestuesve shpërthyen në qytetin qendror të Orebro-s përpara planit të Stram Kurs për të djegur një Kuran atje, duke lënë 12 oficerë policie të plagosur dhe katër automjete të policisë të djegura.