Vendosni fjalën kyçe....

“Fëmijët po indoktrinohen, vlerat po përdhosen, vendi po poshtërohet” – Trump lë të kuptohet se do garojë në vitin 2024


Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka pohuar se pasardhësi i tij, Joe Biden, po poshtëron vendin dhe u tha mbështetësve se mund të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024.

Presidenti i 45-të u përplas me Biden gjatë një mitingu ‘Save America’ ​​në Selma, Karolina e Veriut të shtunën.

“Fëmijët tanë po indoktrinohen, vlerat tona po përdhosen, trashëgimia jonë po fshihet dhe vendi ynë po poshtërohet nga një president që nuk e ka idenë se çfarë dreqin po ndodh.” – tha Trump para turmës së mbështetësve.

Trump la të kuptohej se ai mund të kandidojë sërish për zyrën në vitin 2024.

Ai përmendi edhe zgjedhjet afatmesme që do të zhvillohen në nëntor.

“Ky është viti që ne do të rimarrim Dhomën e Përfaqësuesve. Ne do marrim përsëri Senatin dhe do të rimarrim Amerikën, dhe në vitin 2024, më e rëndësishmja, ne do të marrim përsëri Shtëpinë tonë të Bardhë të bukur.”

Trump tronditi jo pak kur u zgjodh në vitin 2016, duke mposhtur favoriten, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Ai humbi në garën e vitit 2020 ndaj Joe Biden, duke bërë akuza se zgjedhjet u manipuluan.