Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina akuzon Kryqin e Kuq se ‘po punon për armikun’


Zëvendëskryeministrja e Ukrainës ka akuzuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) se ‘punon për armikun’ pasi dyshohet se ka ndihmuar në evakuimin e banorëve nga qyteti i Mariupol në Rusi.

Ajo la të kuptohej se organizata ndërkombëtare e ndihmës ishte më e interesuar për paratë ruse sesa për mbështetjen e kauzës ukrainase.

Breshëria e akuzave erdhi nga Iryna Vereshchuk, e cila është parlamentarja më e lartë e Ukrainës me përgjegjësi për çështjet humanitare.

Ajo përsëriti pretendimet e Kievit se Moska po rrëmbente me forcë ukrainasit nga Mariupoli, qyteti port që ka parë disa nga luftimet më të ashpra që nga fillimi i sulmit njëmujor rus në Ukrainë. KNKK-ja ka ndihmuar me ato evakuime, ka pretenduar ajo.

“Ukraina kurrë nuk ra dakord për një korridor humanitar nga Mariupol në Rusi. Kjo është e qartë. Ata janë pushtues. Ata janë armiq. Jo paqebërës. Kryqi i Kuq nuk kishte të drejtë të ndihmonte në evakuimin e njerëzve atje.” – tha ajo në një intervistë për gazetën Strana të Ukrainës.

KNKK ka mohuar se ka marrë pjesë ndonjëherë në evakuime të detyruara, qoftë në Ukrainë apo kudo tjetër në botë, dhe theksoi se, si një organizatë humanitare asnjanëse, qëllimi i saj ishte të ofronte ndihmë, në vend që të mbante njërën anë ose tjetrën në një konflikt.

“Ne kurrë nuk ndihmojmë në organizimin apo kryerjen e evakuimeve të detyruara. Kjo është e vërtetë në Ukrainë. Kjo është e vërtetë për kudo ku punojmë në mbarë botën. Ne nuk do të mbështesim asnjë operacion që shkon kundër vullnetit të njerëzve.” – thuhet në deklaratën e Kryqit të Kuq.

Vereshchuk ka pretenduar se, në kundërshtim me misionin e saj, KNKK-ja ishte ‘de facto duke punuar në anën e armikut’ dhe se ishte e motivuar financiarisht për ta bërë këtë.

“Paratë nuk kundërmojnë.” – vuri në dukje ajo, duke përdorur fjalët që perandori romak Vespasian i tha të birit për të shpjeguar pse taksimi i urinës ishte një politikë e mirë.

“Ky nuk është dyshimi im, e di me siguri. Askush nuk e fshehu faktin se Kryqi i Kuq mori donacione nga Rusia.” – shtoi Vereshchuk.