Vendosni fjalën kyçe....

Të jetë rastësi? Digjet fusha e mbetjeve urbane një ditë pas denoncimit të Kryemadhit për landfillin e Vlorës


Në orët e para të ditës së sotme një re tymi është përhapur në zonën periferike të qytetit të Vlorës, ku mori flakë një fushë depozitimi për mbetje.

Bëhet fjalë për fushën e mbetjeve urbane në lagjen Kushtrim, ku dyshohet se zjarri është ndezur qëllimisht.

Sikurse shihet në videon e “Syri.net”, zona është mbuluar nga tymi dhe zjarri ka vazhduar të djegë mbeturinat edhe në praninë e zjarrfikësve.

 

Kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, ka dalë në një prononcim për mediet ku thotë se incidente të ngjashme kanë ndodhur herë pas here.

“Ndodhin aksidente herë pas here. Do të zbulojmë se cili ka qenë shkaku. Forcat zjarrfikëse kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit dhe po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin. Puna o të vazhdoje ditë pas dite, pasi fushat e plehrave mund të rindizen përsëri. Është një apel për të gjithë njerëzit që kalojnë në këtë zonë që mos të krijojnë kështu lajmesh, por të fokusohet në sezonin e ardhshëm turistik. Unë shpresoj shumë që Vlora të jetë qyteti bregdetar më i vizituar. Nuk mund të them është i qëllimshëm, i takon policisë së shtetit kjo.”– tha Leli.

Kryebashkiaku u ndal edhe tek projekti i landfilldit të Sheristës, për të cilin tha se është vonuar për shkak të zhvillimeve të fundit.

“Ne jemi duke punuar për përfundimin e projektit të landfilldit Sheristës, por ka pasur vonesa për shkak të problematikave që po përballet e gjitha Europa. Shpresoj që para fillimit të sezonit turistik të jetë funksional.”- tha Leli.

Në bashki të tjera të vendit, ka ndodhur që pasi u kanë vënë zjarrin mbetjeve kanë lidhur kontrata me inceneratorët.

Rastësi apo jo, ky incident vjen vetëm një ditë pas denoncimit të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi denoncoi se Klodian Zoto ka përfituar rreth 9 milionë euro për ndërtimin e landfillit të Sherishtës. Ky landfill nuk është bërë funksional.

Kryemadhi publikoi disa dokumente ditën e djeshme të cilat sipas saj tregojnë se Klodian Zoto ka përfituar milionë euro të tjera nga buxheti i shtetit.

“Në 27 prill të 2020, Klodian Zoto ITS ka marrë 9 milionë e 800 mijë euro për landfillin e Vlorës për të cilin deri më sot ne nuk kemi dëgjuar absolutisht asnjë gjë. Ka qenë e fshehur, e padeklaruar dhe e paprezantuar jo vetëm publikisht por edhe në aspektet e dokumentacionit.”– shprehej Kryemadhi.