Vendosni fjalën kyçe....

Fjala për Enkelejdin: Berisha duhet të distancohet nga dështimi im dhe i Lulit


Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj lexoi një deklaratë ku kërkoi distancimin e Berishës, ndërkohë që i vetmi kut dhe etalon që përcakton se kush duhet të qëndrojë në lojë është vota.

Basha, Alibeaj & Co. u ndëshkuan me votë më 6 mars. Berisha u konfirmua.

Kaq mjafton që kjo kërkesë e lexuar nga Alibeaj, të vijojë traditën e meme-ve në PD me deklarata pionerësh që duken si karkalecë të dalë nga poshtë fustanit të ambasadores amerikane.

Grupi i deputetëve demokratë kërkojnë distancimin e Berishës nga çdo vendimmarrje dhe ndërmjetësimin e një grupi të Partive Popullore Evropiane , ku PD është pjesë, për të përafruar qëndrimet dhe për të ribashkuar partinë.

Deputetët shprehin gatishmërinë për të negociuar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i hapur rrugë bashkimit.

1.Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjedhjes së problematikës, që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë.

2.Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parime e statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA.

3.Grupi parlamentar shpreh gatishmërinë për të negociuar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i hapur rruge bashkimit. Grupi ngarkon strukturat përgjegjëse për të pranuar një grup të PPE për të lehtësuar ndërmjetësimin.

Grupi vlerëson se pas dakordësisë i hapet rruga për:

A-Ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë për bashkim

B-Përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale

C- Përgatitjen e kushteve të nevojshme për zgjedhje menjëherë pas zgjedhjeve lokale./Hashtag.al