Vendosni fjalën kyçe....

Dorëheqja e Bashës gjest që komunikon normalitet


Nga Arbër Zaimi

1. Dorëheqja e Bashës është gjest që komunikon normalitet. Shumëkush dëshiron normalitet, dhe ky gjest e përmbush por vetëm simbolikisht këtë dëshirë. Pra, i jep ambalazh normaliteti një situate anormale ku ka rënë Shqipëria, në mungesë të një krahu të majtë politik, me një qeveri hajdute e neoliberale, dhe me një opozitë të goditur në shumë nivele.

2. Basha u përzgjodh si pasardhës në krye të PD nga Berisha, ashtu siç u përzgjodh edhe Rama nga Nano për kreun e PS. Bashës iu dha mundësia të merrte pozita ndër më të rëndësishmet ministrore, ashtu siç Ramës iu dha kryeqyteti. Ndryshimi është se Ramës iu dha edhe kamxhiku, kur erdhi në krye, teksa Nano u tërhoq tërësisht, ndërsa Bashës nuk iu dha e u kujtua shumë vonë për ta marrë vetë. A do të përgatisë edhe një tjetër lider pasardhës Berisha (raste të rralla janë në histori kur një lider ndërton dy pasardhës). A do të marrë ai proces edhe 16 vjet të tjerë? A do t’i jepet atij të riut kamxhiku?

3. Në partitë evropiane “catch-all”, pra në partitë post-ideologjike, kemi një fenomen interesant. Partia jeton aq sa lideri. Pse? Sepse të qenit post-ideologjik dhe të qenit “catch-all” nënkupton pamundësi disipline organizative (disiplina nënkupton të qenit të përbashkuar rreth një ideali të përbashkët). Partitë “catch-all” i mban bashkë vetëm aftësia e liderit për t’u shfaqur si garant i interesave të secilit grup, edhe kur ato interesa janë ndërsjelltazi përjashtues. A ka për të qenë PD e tillë? Apo do të mbijetojë, gjë që nënkupton kapërcimin prej identifikimit post-ideologjik në atë ideologjik (gjithnjë duke mbetur afër qendrës, sepse ekstremet nuk janë territor i fitores elektorale). Kjo do të nënkuptonte rritje të rëndësisë së organizimit dhe organizatës, krahasuar me situatën aktuale ku prioritetin e mban dirigjenti. Pastaj shtrohet edhe pyetja tjetër, a jep avantazh strategjik të qenit parti ideologjike përballë një partie post-ideologjike si ajo e Ramës?

4. Berisha është lider i sprovuar, që ka ditur ta ripaketojë apo ta rishpikë vetveten edhe pas krizave të thella (pakkush ka menduar që ai kthehet në pushtet edhe pas ‘97). Të qenit i sprovuar megjithatë ka edhe të metat e veta. Nuk je surprizë për asnjë nga faktorët, për qeveritarët, drejtësinë, bizneset e mëdha (oligarkët), diplomatët etj. Je “me dosje”. Për fitore nevojiten surpriza të paparashikueshme. A do të ketë të tilla nga Berisha?