Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi i përgjigjet Tabakut: Kujt i shërben raporti juaj gjysmak për inceneratorët, shumë dokumente autentike s’ishin përfshirë


Deputeti i PD-së Belind Këlliçi i është përgjigjur koleges demokrate Tabaku lidhur me votimin për raportin e komisionit hetimor për inceneratorët.

Në një shënim në Facebook, ai shkruan se qëndrimi i Tabakut është dezinformim e dashakeqësi kundrejt qytetarëve. Sipas Këlliçit, raporti i paraiqtur në seancë javën e shkuar ka qenë i cunguar, i mangët dhe padakordësuar me anëtarët e tjerë të komisionit.

“Sapo jam njohur me deklaratën e koleges Jorida Tabaku mbi votën kundër të disa deputetëve demokratë për raportin e Komisionit Hetimor të Çështjes së Inceneratorëve. Ndjehem i keqardhur për qëndrimin e saj dhe e konsideroj dezinformim dhe dashakeqësi kundrejt qytetarëve dhe kolegëve opozitarë. Javën e shkuar gjatë seancës plenare, na u servir një raport i cunguar, i mangët dhe i padakordësuar me anëtarët e tjerë të komisionit, ku bëj pjesë edhe unë. Kryetarja kishte detyrimin të informonte kolegët e komisionit në fjalë, përpara se raporti të hidhej në votë. Minimumi, anëtarëve të këtij komisioni i duhej marrë një mendim mbi raportin final.” – shkruan Këlliçi.

Ai vijon më tej duke shkruar se lidhur me çështjen e inceneratorëve ka publikuar dokumente autentike të cilat nuk janë përfshirë fare në raportin e Tabakut.

Këlliçi thekson se nuk i është vënë në dispozicion asnjë raport paraprak për t’u lexuar para se të shprehet me votë.

“Për çështjen e inceneratorëve kam bërë publike dokumente autentikë, të cilët nuk u përfshinë fare në raportin e Zj. Tabaku. Vetëm një herë kur m’u kërkua dokumenti me nënshkrimin e Erion Veliajt, unë e vendosa menjëherë në dispozicion të komisionit. Personalisht nuk kam marrë në dorëzim asnjë raport për ta lexuar përpara se të shprehem me votë. Nuk kam marrë kurrë asnjë informacion apo kërkesë për të depozituar pranë Komisionit Hetimor dokumentet dhe materialet të cilat i bëra publike gjatë punimeve të Komisionit.” – shkruan më tej deputeti demokrat.

Këlliçi sqaron votimin e tij duke thënë se ka votuar njësoj për të dy raportet të cilat i konsideron nul.

Sipas tij raporti i PS-së ishte mohim në grup i gjithçkaje për aferën e inceneratorëve ndërsa raporti i opozitës ka përfshirë vetëm atyop materiale të cilat janë gjykuar nga dikush që duhen përfshirë.

“Prandaj, sqaroj:

“Kam votuar njëlloj kundër si për raportin e opozitës dhe për raportin e mazhorancës, sepse i konsideroj NUL të dy këto raporte. Raporti i mazhorancës socialiste është një mohim në grup i gjithçkaje që është faktuar për aferën e inceneratorëve, ndërsa në raportin e opozitës në komision janë përzgjedhur e përfshirë vetëm ato materiale për të cilat dikush ka gjykuar se duhet të përfshihen. Si njëri dhe tjetri raport janë jotransparentë, prandaj unë do të votoj KUNDËR sa herë që kolegë majtas apo djathtas do të bëjnë shfaqje hipokrizie si kjo e fundit.”­ – shkruan Këlliçi.

Në fund deputeti e pyet kolegen Tabaku se kujt i shërben raporti i saj gjysmak duke sqaruar më tej se ai i shërben Lulzim Bashës.

Ai i bën thirrje SPAK-ut që të hetojnë këtë aferë që rëndon mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë.

“Nga facebook po i drejtoj një pyetje koleges Tabaku, meqënëse në bunker duhet vizë për të hyrë dhe ende sot deputetët kritikë ndaj ish Kryetarit nuk lejohen të futen brenda. Kujt i shërben raporti juaj gjysmak? Unë personalisht mendoj se Jorida Tabaku NUK i shërben dhe nuk i bashkon votat me Edi Ramën. Mirëpo di që ajo i shërben Bashës, dhe ai dihet tashmë mjaft mirë se kujt i shërben. Së fundmi, dua të shfrytëzoj edhe njëherë këtë hapësirë komunikimi për t’i bërë thirrje SPAK-ut dhe të gjitha organeve të drejtësisë të marrin ne dorë këtë aferë që rëndon mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që drejtësia të shprehet! PS: Sa për merakun e transparencës dhe informimit të partnerëve tanë, në takimin me ish eurodeputetin Brok nuk e preka temën e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve,  pasi vizita e tij nuk kishte fare të bënte me këtë çështje dhe cilido që pretendon ndryshe, gënjen opinionin publik. Sa për partnerët e tjerë, përfshirë dhe ata amerikanë, pa merak se janë të gjithë të qartë dhe të informuar mbi realitetin!” – mbyll reagimin Këlliçi.