Vendosni fjalën kyçe....

Rama ngre bord për çmimet e shportës: Kush abuzon i konfiskohet malli


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve furnizuese të ushqimeve me të cilët ka biseduar për masat që qeveria e tij po ndërmerr nëpërmjet Paketës së Rezistencës Sociale lidhur me rritjen e çmimeve.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha sese pavarësisht se nuk beson tek ndërhyrja në treg, tani një gjë e tillë është e domosdoshme.

“Nuk besoj tek ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për një kohë normale dhe krizat organike të një kohe normale, siç ishte ajo e inflacionit në të gjithë botën me një rritje të lehtë jo të pandjeshme të çmimeve hap pas hapi në periudhën e fundit. Sot nuk jemi në këto kushte, jemi në kushte të tjera, kriza nuk është organike. Është e imponuar nga një agresion ushtarak.”- tha Rama.

Rama tha do të ngrihet një bord për administrimin e çmimeve të shportës.

“Bordi për çmimin e shportës, do të bëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe të bizneseve furnizuese.

Çmimet e ushqimeve do të vendosen aty dhe askush nuk do të tolerohet që të abuzojë me to. Nëse kjo ndodh do të konfiskohet prodhimi i tyre. Kjo do të ndodhë me ligj përmes një akti normativ. Kush do të lozë me çmimet jashtë asaj që vendoset do të humbasë mallin. Sigurisht që do të keni dhe ju fitimin tuaj, por jo si e keni pasur pasi nuk ka sens në një kohë krize.”– tha Rama duke u kërkuar bizneseve ta harrojnë fitimin në këtë “kohë lufte”.

Rama nuk është treguar i kursyer as batutat duke u thënë të pranishmëve se duhet ta shohin këtë si një mundësi “për të larë mëkatet që me siguri kanë bërë gjatë karrierës”.

Mes të tjerash, kryeministri theksoi se nesër do të mblidhet bordi i administrimit të produkteve ushqimore bazë, për të rishikuar çmimet dhe për të vendosur një tavan të saj.