Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi i reagon Ramës: Nuk e ka fajin lufta në Ukrainë për çmimet, anulo paratë për inceneratorët dhe ke siguruar para për subvecione


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar ndaj paketës së propozuar nga Edi Rama pasditen e sotme dhe deklaratës së tij se shkak për rritjen e çmimeve është lufta në Ukrainë.

Kryemadhi e ka quajtur Ramën aktor e manipulator dhe i ka kërkuar anulimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës që po shijohen nga Zoto e Gugallja që janë në arrati.

Kryetarja e LSI-së thotë se kjo është një diçka që e ka në dorë Rama dhe jo lufta në Ukrainë.

Ajo shtoi se anulimi i koncesionit për inceneratorët i firmosur nga Veliaj do siguronte para mjaftueshëm për familjet biznesin, fermerët e sektorin e turizmit.

“O piktor, o aktor, o manipulator…. Anulo pagesat e inceneratorit të Tiranës, që po i shijon Stela Gugallja dhe Klodian Zoto në arrati! Këtë e ke vetë në dorë dhe nuk varet hiç nga lufta në Ukrainë, por nga lufta që ke me shqiptarët brenda mendjes tënde. Anulo koncesionin korruptiv të firmosur nga Veliaj dhe me ato para të subvecionohen deri në fund familjet shqiptare, biznesi, fermerët, sektori i hoteleri-turizmit që do e blejë lëndën e parë deri në 10 herë më shumë. Po ule dhe taksat akoma më mirë, por këtë punë e kanë marrë qytetarët tashmë në dorë”.