Vendosni fjalën kyçe....

Shërbimi zjarrfikës në protestë para Parlamentit: S’na paguajnë orët e natës


Këtë të enjte forcat zjarrfikëse kanë protestuar para Parlamentit pasi ankohen se orët e punës gjatë natës atyre nuk u paguhen.

Zjarrfikësit kërkojnë që t’u paguhen orët shtesë, orët gjatë natës dhe ato në fundjavë. Përpara medieve kryetar sindikatës së zjarrfikëses në Elbasan Ylli Hoxha tha se zjarrfikësit nuk marrin as pushime festash, por vetëm rrogën fikse për ditë pune.

“Protestojmë për të drejtat tona, për orët e natës. Nga ministria u krijua një grup pune për ngritje rroge. Kërkojmë të drejtat tona. Kërkojmë që të zbatohet ligji.

Na takojnë orët e natës, vështirësia, orët shtesë. Na janë hequr orët e natës, nuk i marrim fare. Nuk marrim as pushime festash, apo të paguajmë. Këtë nuk na e paguajmë. 490 mijë leke marrin.”- tha Hoxha.

Mes të tjerash protestuesit thanë se zjarrfikësit në disa rrethe nuk janë lejuar që të vijnë për të protestuar në Tiranë pasi janë kërcenuar me heqjen nga puna.

“Sot në mëngjes në disa rrethe nuk u kanë lënë me ardhë në protestë, me vendimin se do t’i largonin nga puna, ka pasur presion për t’i hequr nga puna. Duam kushtet e punës dhe të shtohet vëmendja.”– tha protestuesi.

Një tjetër shpjegoi: “Paguhem 490 mijë lekë (të vjetra), shkojmë nëpër zjarre. Ne jemi për fatkeqësi natyrore, aksidente, zjarre.”

Zjarrfikësit kanë treguar se ata paguhen maksimumi 505 mijë lekë të vjetra kush është me mbi 25-30 vite përvojë dhe një i ri paguhet 360 mijë lekë.