Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon takimi në Turqi mes ministrave të Jashtëm të Rusisë e Ukrainës


Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Ukrainës dhe Rusisë u takuan të enjten me synimin për të arritur paqen e qëndrueshme, ndërsa lufta Rusi-Ukrainë hyri në ditën e saj të 15-të.

Takimi trepalësh i nivelit të lartë filloi në orën 11:20 të mëngjesit me orën lokale (0820 GMT) në margjinat e Forumit të Diplomacisë së Antalias në Turqi dhe zgjati për më shumë se një orë.

Sergei Lavrov i Rusisë, Dmytro Kuleba i Ukrainës dhe Mevlut Cavusoglu i Turqisë do të mbajnë konferenca shtypi veçmas.

Përpara takimit të së mërkurës, Kuleba në mediat sociale shprehu shpresën për ‘bisedime në mirëbesim, jo ​​nga perspektiva propagandistike, por në të vërtetë me detyrën për të gjetur një zgjidhje se si t’i jepet fund luftës së zhvilluar nga Rusia’.

Më vete, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu gjithashtu shpresën që takimi të hapë dyert për armëpushim të përhershëm.

Qëndrimet e të dyja palëve

Moska ka kushte të ndryshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ajo dëshiron që Ukraina të ndryshojë Kushtetutën e saj për të deklaruar pa mëdyshje se Kievi nuk do të bashkohet me asnjë aleancë ushtarake dhe se Krimea është territor rus.

Në shkurt të vitit 2019, parlamenti i Ukrainës miratoi amendamentet në Kushtetutë që parashikojnë dëshirën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.

Kievi dëshiron që lufta në territorin e tij të përfundojë dhe trupat ruse të tërhiqen plotësisht nga toka ukrainase, duke përfshirë Krimenë dhe Donbasin. Raundi i parë i negociatave u zhvillua më 28 shkurt në Gomel të Bjellorusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe zgjati pesë orë. Raundi i dytë u zhvillua më 3 mars dhe i treti më 7 mars, të dy në rajonin Brest të Bjellorusisë.