Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj: Kush do të largojë Berishën, të mbledhë më shumë vota se ai


Deputeti Agron Shehaj në një prononcim për mediet deklaroi se Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së pasi zgjedhjet e 6 marsit treguan se ai nuk ka shumicën brenda partisë.

“Duhet t’i japë mundësinë demokratëve që të bashkohen. I bëj thirrje gjithë kolegëve të mi deputetë dhe gjithë demokratëve që të respektojnë vullnetin e shumicës dhe të bashkohemi për të shmangur përçarjen.”- tha Shehaj.

Ai u pyet nga gazetarët edhe për kërkesën e një pjese të demokratëve për largimin e Berishës. Shehaj tha se zgjidhja është me votë dhe kush kërkon largimin e Berishës ta realizojë duke marrë më shumë vota.

“Demokracia funksionon nëpërmjet votës dhe nëpërmjet respektit të vullnetit të shumicës. Shumica tregoi që nuk është më Bashën dhe Basha duhet të largohet për këtë arsye.

Kushdo që pretendon se zoti Sali Berisha duhet të largohet ka të drejtën e tij, por duhet të mbledhë vota për të larguar Sali Berishën. Kushdo që do ta largojë le të mbledhë më shumë vota se Sali Berisha dhe ta largojë. Zgjidhja është me votë. Shumica e ka shprehur vullnetin.

Argumenti që përdorte deri dje Basha dhe mbështetësit e tij ishte se ata kishin shumicën dhe nuk kishin arsye të largoheshin. Tani ata nuk e kanë më shumicën. Në demokraci vendoset nëpërmjet votës, shumica vendos.”- janë fjalët e Shehajt.