Vendosni fjalën kyçe....

Peskov: Raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë nis sonte


Kremlini thotë se delegacioni rus do të presë Ukrainën për bisedime mbrëmjen e 2 Marsit.

Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se delegacioni rus do të jetë gati për një raund të ri bisedimesh të mërkurën pasdite me përfaqësuesit e Ukrainës.

“Sot pasdite, në orët e vona të pasdites, delegacioni ynë do të jetë në vend. Do të presin negociatorët ukrainas. Delegacioni ynë do të jetë gati të vazhdojë bisedën sonte.”- tha Peskov, citon Agjencia e lajmeve ruse TASS.

I pyetur për vendin e takimit të ri, përfaqësuesi i Kremlinit u përgjigj se nuk do ta zbulonte paraprakisht. Megjithatë sipas TASS, raund i ri i negociatave midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës do të mbahet në territorin e Bjellorusisë – në Belovezhskaya Pushcha.

Kremlini shpreson se pala ukrainase do të vijë në bisedimet me delegacionin rus, por Peskov tha nuk do të bëjë asnjë parashikim në lidhje me perspektivat e këtij procesi.

“Unë nuk do të bëj parashikime të tilla, nuk kam dhuntinë e largpamësisë.”- tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se sa ka gjasa që procesi i negociatave midis Moskës dhe Kievit të jetë i suksesshëm. “Së pari, ndoshta mund të përpiqeni të parashikoni nëse negociatorët ukrainas do të vijnë apo jo. Le të shpresojmë se kjo do të ndodhë. Njerëzit tanë do të jenë në vend dhe do të jenë gati të ulen në tryezën e bisedimeve në mbrëmje.”

Peskov konfirmoi gjithashtu se ndihmësi i presidentit rus Vladimir Medinsky do të vazhdojë të udhëheqë delegacionin rus në negociatat me Ukrainën.

“Po, ai mbetet negociatori kryesor rus.”- tha zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin.