Vendosni fjalën kyçe....

Meta pret në presidencë drejtoren e “Qendrës së Konsumatorit Shqiptar”: Ngrita shqetësimin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të konsumatorëve


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot në një takim Drejtoren Ekzekutive të Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, Ersida Telitin.

Meta ka publikuar një foto nga takimi me zonjën Telitim me të cilën shprehet se ka ndarë shqetësimin për vendimet jo transparente të institucioneve financiare jo banka, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të konsumatorëve.

“Prita sot në takim Drejtoren Ekzekutive të Qendra ‘Konsumatori Shqiptar’, Prof. As. Dr. Ersida Teliti, për të ndarë disa vlerësime lidhur me shqetësimin e bërë publik, për vendimet jo transparente dhe abuzuese të institucioneve financiare jo banka, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të konsumatorëve.

Zonja Teliti më njohu më konkretisht me veprimet e parregullta të ndërmarra, në mungesë të plotë të transparencës dhe dijenisë për këto detyrime financiare, që po shkaktojnë një tronditje të rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke cënuar cilësinë e jetës së shumë familjeve shqiptare.”- shkruan Meta.

Në reagimin e tij, Meta thotë se do të marrë të gjitha nismat e duhura për të arritur një zgjidhje të arsyeshme e të qëndrueshme.

“E sigurova se do të ndërmarr të gjitha nismat e duhura, në bashkëpunim me Bankën Qendrore dhe institucionet e niveleve të tjera, në respekt dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve, për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të arsyeshme, gjithmonë në interesin e konsumatorëve shqiptarë.”- thotë presidenti.