Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja me armë për kromin, arrestohen katër persona në Bulqizë


Katër persona janë arrestuar në Bulqizë pasi akuzohen për një përplasje me armë.

Në pranga kanë rënë Shaqir Tollja, Erlind Tollja, Aleksandër Algeri dhe Loraldo Lika.

Arrestimi i tyre ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në nëntor të vitit 2020, ku dy grupe personash qëlluan me armë zjarri kundër njeri-tjetrit.

Sipas policisë përplasja me armë ka ndodhur pas një konflikti për motive pronësie.

Njoftimi

“Nga tërësia e  veprimeve hetimore të kryera, informacionet e marra në rrugë operative dhe provave ligjore të siguruara, është arritur të dokumentohet çka ndodhi më 20 nëntor 2020 në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë , ku për shkak  të një konflikti të mëparshëm  për motive pronësie, Shaqir dhe Erlind Tollja  nga automjeti i tyre, kanë  qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës ku udhëtonin B. S.(Z) dhe Aleksandër Algeri,  të cilët u janë kundërpërgjigjur duke qëlluar  me armë zjarri.

Në këtë ngjarje është përfshirë edhe Loraldo Lika, i cili ka kryer veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Shaqir Tollja, 53 vjeç, banues në Bulqizë,  mori masë sigurie arrest në burg së bashku me Erlind Tolljen.

Kurse Aleksandër Algeri, 34 vjeç, banues në Tiranë, mori masë sigurie arrest në burg , por ai aktualisht ndodhet i ndaluar për një tjetër vepër penale në burgun 313 Tiranë. Loraldo Lika, 29 vjeç, edhe ky nga Bulqiza, mori masë  sigurie arrest në shtëpi. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër e cila ka caktuar masat e sigurimit të arrestit për këto shtetas si të dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim,  e mbetur në tentativë, “Mbatje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”