Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Rithemelimit hyn në zgjedhjet e pjesshme lokale, hap garën për kandidaturat


Komisioni i Rithemelimit ka njoftuar se do jetë pjesëmarrës në zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashkitë e vendit të cilat janë prej kohësh pa kryetar të zgjedhur.

Në deklaratë Komisioni thotë se ka hapur sot procesin e primareve për përzgjedhjen e kandidaturave për secilën nga Bashkitë.

Në njoftim ky Komision ka publikuar edhe kushtet të cilat kandidatët duhet të kenë.

Njoftimi i plotë:

Duke ndjekur situatën politike për zgjedhjet e pjesshme, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike deklaron se do të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve për tu dhënë Shqiptarëve mundësinë për tu përfaqësuar në qeverisjen vendore me kapacitetet më të mira të vendit.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi sot hapjen e procesit të primareve brenda PD për përzgjedhjen e kandidaturave më të mira për secilën nga bashkitë në garë.

Nga sot, në të gjitha bashkitë ku do të hapet gara Partia Demokratike fillon punën për evidentimin e kandidatëve. Procesi i përzgjedhjes do të finalizohet më datë 30 Janar 2022 sipas parimit “të Primareve”.

Në përputhje me statutin e PDSH neni 12 dhe 38 kandidatët mund të evidentohen:

Me vetëpropozim;

Propozim nga anëtarësia;

Propozim nga organet qendrore të PDSH.

Kandidatët duhet të jenë personalitete me autoritet të lartë politik profesional dhe shoqëror.

Dokumentacioni i nevojshëm duhet të paraqitet pranë Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD dhe duhet të përmbajë CV profesionale dhe politike të kandidatëve si dhe formularin e vetëdeklarimit për pastertinë e figurës së kanditatit.

Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 24 Janar 2022 ora 24.00