Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve, Bashës i kërkohet të dalë në terren


Prej orës 16:00 në Partinë Demokratike po zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve, ku po diskutohen vendimet e marra në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021.

Por në këtë mbledhje Lulzim Bashës i është kërkuar nga kryetarët e degëve që të dalin në terren, raporton Panorama.al nga burime brenda mbledhjes.

Basha i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryetarëve dhe duket se hapi i radhës së PD-së zyrtare është zbritja në terren.

Kryetarët e degëve që i kanë parashtruar këto kërkesa janë Lefter Gështenja, dega 7 Tiranë, Agron Kapllanaj, dega Fier, Isa Sakja dega Kavajë dhe Xhevdet Amulli, dega Shkodër.

Sipas burimeve nga mbledhja, kryetarët e degëve kanë kërkuar që të gjithë të dalin në terren për të komunikuar me strukturat, përfshirë kryetarin, duke u shprehur se nuk duhet të rrihet më nëpër zyra. Kërkesa e kryetarëve të degëve është bërë për kryedemokratin, nënkryetarët, sekretarin, Kryesinë dhe deputetët.

Kryetarët e degëve thonë se është domosdoshmëri për situatën në të cilën ndodhet PD-ja, të dilet në terren.