Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë thotë “The Economist”: Rreth 12 mijë shqiptarë humbën jetën nga Covid-19


Gazeta presitigjoze britanike “The Economist” thotë se numri i vdekjeve nga Covid-19 në botë është katër herë më i lartë se është raportuar zyrtarisht nga shtetet.

Pas përpunimit të të dhënave nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në të gjithë globin nuk është 5.5 milion sikurse është raportuar, por rreth 19.1 milion. Kjo shifër është gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.

Te kjo shifër nuk janë vetëm ata që kanë vdekur drejtpërdrejt nga koronavirusi, por edhe pacientë me sëmundje të tjera, të cilët nuk kanë mundur të marrin mjekimin apo shërbimin e duhur për shkak të mbushjes së spitaleve apo arsyeve të tjera.

Për të arritur në këtë tregues, “The Economist” ka përdorur një model kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë në një rajon dhe kohë të caktuar me numrin e të vdekurve të deklaruar nga autoritetet pavarësisht shkakut të tyre.

Pjesa e dalë “tepër” në këtë raport është ajo që gazeta e konsideron “vdekje pa ndonjë shkak tjetër”, duke e lidhur kështu drejtpërdrejt me pandeminë.

Duke iu referuar metodologjisë së mësipërme, “The Economist” vlerëson se në Shqipëri numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3 247.