Vendosni fjalën kyçe....

Diplomati ukrainas: Gjermania duhet ta trajtojë Ukrainën si Izraeli, të na japë armë


Një diplomat i lartë ukrainas ka paralajmëruar se nëse Gjermania nuk arrin të ofrojë mbështetje ushtarake për Ukrainës, kjo mund të rezultojë në “pasoja të rënda” për marrëdhëniet midis dy kombeve.

Ambasadori ukrainas në Berlin Andrey Melnik thotë se Gjermania ka një përgjegjësi morale për të ardhmen e Ukrainës dhe për këtë arsye është e detyruar të shesë armë në Kiev në mënyrë që vendi të mbrohet kundër agresionit rus.

Gjatë një interviste me grupin mediatik “Funke”, ambasadori Melnik tha: “i bëjmë thirrje qeverisë gjermane të braktisë pozicionin e saj aktual, i cili nga pikëpamja e moralit është absolutisht i panevojshëm, dhe t’i sigurojë Ukrainës urgjentisht armët e nevojshme mbrojtëse. Kemi të drejtën e vetëmbrojtjes”.

Aktualisht, Berlini nuk furnizon me armë vendet ku ka konflikte ushtarake. Kombi i Evropës Lindore ka parë luftime të përgjakshme të brendshme që nga viti 2014, që sollën përmbysjen e qeverisë nga protestat e dhunshme në rrugë, me përleshjet që u përshkallëzuan përsëri në rajonin e Donbass muajt e fundit.

Siç citon RT, Melnik tha se refuzimi i qeverisë gjermane për të ofruar armë “po shkakton pakënaqësi të madhe në shoqërinë ukrainase dhe mund të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet dypalëshe”.

Sipas ambasadorit, Gjermania mban të njëjtën përgjegjësi ndaj Ukrainës si ndaj Izraelit, për shkak të veprimeve të vendit në Luftën e Dytë Botërore, dhe i kërkoi Berlinit të “punojë më aktivisht” për shpresat e Kievit për t’u pranuar në BE dhe në NATO.

Megjithatë, duke iu përgjigjur më vonë kërkesës së Melnikut që Berlini të furnizonte me armë Kievin, Kabineti i Ministrave i Gjermanisë tha në një deklaratë se forca ushtarake nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke u kërkuar të gjitha palëve të gjejnë një zgjidhje “politike“.

Këto komente vijnë mes shqetësimeve nga udhëheqësit perëndimorë se Moska mund të planifikojë të nisë një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës. Sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov, megjithatë, i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat, duke i përshkruar ato si “të pabaza” dhe manifestime të “histerisë“.

Në fund të muajit të kaluar, ministrja e re e jashtme e Berlinit, Annalena Baerbock, i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA se “përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak nuk do t’i sjellë më shumë siguri Ukrainës”, kur u pyet nëse vendi kishte plane për t’i shitur një numër të madh armësh ish-republikave sovjetike.