Vendosni fjalën kyçe....

Strazimiri: Basha premtoi betejë pa kompromis ndaj Ramës po tani e keni në kafe, me 8 janar demokratët marrin PD-në


Ish-deputeti Gent Strazimiri deklaroi sot se kyçja e dyerve të PD-së tregon frikën që Lulzim Basha ka nga demokratët.

Ai ishte pjesë e grupit për Rithemelimin e PD-së që shkoi në selinë blu për të zhvilluar një mbledhje po ngelën jashtë për shkak se dyert ishin të mbyllura.

Strazimiri tha se teksa Basha ka premtuar betejë pa kompromis ndaj qeverisë Rama, ai rri në kafe ndërsa oborri i PD-së është i zbrazët nga demokratët.

Po kështu ai tha se me 8 janar demokratët do marrin PD-në që është shtëpia e demokratëve.

“E keni në kafe tani keni gjë për t’i thënë? Nuk ka punë tjetër veç se të pijë kafe. Premtoi betejë pa kompromis. Ky oborr i shkretëtirës, godina e zbrazëtisë së madhe. Nëse do kishte betejë nuk do ishte në kafe. Sot ky oborr do gumëzhinte nga demokratët. Asnjë demokrat s’duhet të kishte dilemën a do i hapet dera apo jo. Ky oborr i zbrazët, kjo godinë e mbyllur në këtë mënyrë tregon frikën nga demokratët, jo nga regjimi, me regjimin e ka grurë. janë 44 mijë vetë që duan të hyjnë në PD më datë 8. Këta thjesht kanë ndërmend ta mbajnë të zbrazët e të shkretë këtë godinë. Më datën 8 do marrin xhevapin, kjo është shtëpia e demokratëve. Kjo godinë dhe ky oborr nuk mund të rrinë të zbrazëta.” – tha ndër të tjera Strazimiri.