Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut teston me sukses një raketë hipersonike


Koreja e Veriut ka testuar me sukses një raketë hipersonike të mërkurën, testi i parë i madh i armëve për këtë vit.

Media shtetërore KCNA raportoi se raketa hipersonike “goditi me saktësi” një objektiv të caktuar 700 kilometra larg.

Ky është testi i dytë i raportuar i një rakete hipersonike, e cila mund të shmangë zbulimin për më gjatë se raketat balistike.

Testi vjen pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ishte zotuar më herët se do të forconte mbrojtjen e Phenianit.

Kim tha në një fjalim të Vitit të Ri se Pheniani do të vazhdojë të forcojë aftësitë e tij mbrojtëse për shkak të një mjedisi gjithnjë e më të paqëndrueshëm ushtarak në gadishullin Korean.

Siç shkruan BBC, Koreja e Veriut testoi një sërë raketash vitin e kaluar në mes të bisedimeve të bllokuara me Jugun dhe SHBA-në.

Koreja e Veriut i bashkohet një numri të vogël vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, në përpjekjet për të zhvilluar raketa hipersonike.

Testimi i fundit u zbulua për herë të parë nga roja bregdetare japoneze herët të mërkurën, përpara se të konfirmohej nga autoritetet e mbrojtjes në Seul.

Testet vijnë ndërsa Pheniani lufton me mungesën e ushqimit për shkak të bllokimeve të koronavirusit që ka prekur rëndë ekonominë e vendit.

Në takimin e fundvitit, Kim tha se vendi po përballet me një “luftë të madhe për jetë a vdekje”, duke shtuar se rritja e zhvillimit dhe përmirësimi i standardeve të jetesës së njerëzve ishin ndër synimet e këtij viti.

Pavarësisht kësaj, Koreja e Veriut nuk tregon asnjë shenjë të ngadalësimit të programit të saj të armëve, duke thënë se ato janë të nevojshme për vetëmbrojtje.

SHBA i ka bërë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore dhe marrëdhënia e Phenianit me administratën e Presidentit Joe Biden deri më tani ka qenë e mbushur me tensione.