Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen në Kuvend ligjin për TVSH-në


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 111/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

“Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, me heqjen apo diferencimin e përjashtimeve të normave të TVSH-së, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale ndërmjet sektorëve të ekonomisë, sepse është parë me proritet heqja e përjashtimeve për sektorin e bujqësisë dhe të investimeve kundrejt lënies së përjashtimeve për sektorë të tjerë.

Për ilustrim, për subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë.  Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH.

Kjo do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo propocional me nevojën që dikton mbështetja e tyre.

Trajtimi fiskal i diferencuar, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese për mbrojtjen e të cilave Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim.

Përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014”-thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Presidentit.