Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet në kërkim biznesmeni i inceneratorëve, Mirel Mërtiri


Shpallet në kërkim biznesmeni i inceneratorëve Mirel Mërtiri.

Pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka lidhur me aferën e inceneratorëve dhe Hashtag.al ka mësuar se është shpallur në kërkim dhe biznesmeni Mirel Mërtiri.

Kujtojmë se ish-ministri Lefter Koka u arrestua paraditen e sotme në shtëpinë e tij në Durrës rreth orës 11:00 dhe më pas u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku sikurse vihet re në pamjet e mëposhtme, ai ka qenë pa pranga.

Ish-ministri do të qëndrojë aty deri në konfirmimin e masës së sigurisë në GJKKO, që pritet të jepet pas 2 ditësh.

Ai është arrestuar pas urdhrit të SPAK-ut, mbi çështjen e incineratorëve. Urdhri për arrestimin e Kokës është firmosur nga prokurori Klodian Braho e është firmosur nga gjykatësi Erion Bani.

Në njoftimin e SPAK-ut konfirmohet gjithashtu se është vendosur “arrest me burg” edhe për biznesmenin Klodian Zoto dhe Stela Gugallin, lidhur me inceneratorin e Elbasanit.

Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre, pastrim parash e korrupsion”.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Koka nga SPAK, duke thënë se ky arrestim tregon se akuzat e vazhdueshme të PD-së kanë qenë të drejta. Por ai nuk e quan drejtësi të plotë arrestimin vetëm të Kokës për këtë çështje. Kjo pasi sipas tij nuk është Koka “peshku i madh” për këtë aferë, duke përmendur kryeministrin Edi Rama, ish-ministrin e Energjetikës Damian Gjiknurin si dhe biznesmenin Mirel Mërtiri.

“Thënë kjo, nuk ka qytetar shqiptar ta besojë se ky është ‘peshku i madh’. E dinë të gjithë që 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër, kushdo qoftë ky.

Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë Euro janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtirit, Arben Ahmetajt dhe surrogatëve të tjerë, dy kryetarëve të tjerë të bashkive të tjera.

Dhe sa kohë nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive që ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve.”- u shpreh Basha para gazetarëve.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, reagoi gjithashtu as arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit duke thënë se askush nuk është mbi ligjin.

Zonja Kim shprehet se këto janë rezultatet konkrete të Reformës në Drejtësi.

“Veprimet e SPAK-ut, sidomos këtë javë, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Mund të largohesh, por nuk mund t’i fshihesh më ligjit. Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete.”- shkruan ambasadorja./Hashtag.al