Vendosni fjalën kyçe....

Rama në grykëderdhjen e Vjosës: Për sa kohë ky do mbahet “Lumi i egër”, ka risqet e veta


Kryeministri Edi Rama ka vajtur sot në grykëderdhjen e Vjosës ku ka folur për përmbytjet e ditëve të fundit në qarkun e Vlorës dhe të Fierit.

Por gjatë fjalës së tij para banorëve, Rama i ka lënë një përgjegjësi të fajit edhe nismës për shpalljen e lumit Vjosa “Park Kombëtar” dhe protestave për të mos lejuar ndërtim të HEC-eve pranë Vjosës.

Rama thotë se për sa kohë do të duam ta mbajmë Vjosën lumë të egër, duket të marrim parasysh risqet.

“Po për sa kohë ky do mbahet ‘Lumi i egër’ dhe ne duam ta mbajmë lumë të egër, dhe e kemi thënë që duke e pasur zonë të mbrojtur, duke synuar të kthejmë shtratin e Vjosës në Park Kombëtar dhe zona të caktuara në Park Kombëtar, pra për sa kohë që asnjë hidrocentral dhe asnjë digë nuk do lejohet atëhere vetvetiu kjo i ka risqet e veta se e bukur shumë është egërsia e lumit dhe e natyrës por pastaj…”– tha Rama.

Sipas kryeministrit, bilanci i dëmeve nga prurjet tejet masive të lumit është minimizuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, falë investimeve të kryera.

“Në grykëderdhjen e Vjosës, ku falë investimeve të kryera për argjinaturat e reja dhe mirëmbajtjen e sistemit të rivendosur prej disa vitesh në punë të kullimit, bilanci i dëmeve nga prurjet tejet masive të lumit është minimizuar shumë ndjeshëm, ndërsa tërheqja e ujërave nga fushat ka ndodhur në kohë rekord. Tani do të vijojmë punën që në përballjen e ardhshme me përkeqësimin e motit, gjërat të shkojnë edhe më mirë.

Faleminderit të gjithë atyre që i qëndruan mbi kokë ditë e natë situatës shumë të rënduar nga moti i keq, këtu e në të gjithë Shqipërinë.”- shprehet Rama.