Vendosni fjalën kyçe....

Ish-shefi i NATO-s paralajmëron se ka plane ‘konkrete’ për ‘pushtimin rus’ të Ukrainës


Ndërsa shtjellonte një plan të supozuar trefazor që do kulmonte me një marshim drejt kryeqytetit ukrainas, ish-Sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se nuk ishte i sigurt nëse Rusia do e realizonte atë.

Në të kundërt, Rusia ka hedhur poshtë të gjitha akuzat perëndimore për agresion të afërt, duke e hedhur poshtë një retorikë të tillë si një dredhi për të vendosur më shumë pajisje ushtarake të NATO-s pranë kufijve të saj.

Ish-kryeministri i Danimarkës dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka paralajmëruar për një ‘pushtim’ të planifikuar rus të Ukrainës mes tensioneve në rritje.

Ish-shefi i NATO-s, i cili udhëhoqi aleancën nga viti 2009 deri në vitin 2014, e vlerësoi inteligjencën amerikane, sipas së cilës një ‘pushtim’ rus mund të ndodhte që në fillim të vitit 2022 dhe të përfshinte deri në 175,000 ushtarë, si ‘të besueshme’.

Sipas Fogh Rasmussen, faza e parë do të jetë mbyllja e hyrjes së Ukrainës në Detin e Zi për të mbyllur mundësinë për furnizime të reja. Faza tjetër do të jetë bombardimi i forcave ushtarake ukrainase përpara nisjes së fazës së tretë, e cila do të shihte trupat ruse të marshonin drejt Kievit.

Pra, ka plane plotësisht konkrete, por ne nuk e dimë nëse Putini do t’i realizojë ato”, tha Anders Fogh Rasmussen për TV2 të Danimarkës.

“Tani amerikanët dhe BE-ja pajtohen plotësisht se do të ketë sanksione shumë të forta kundër Rusisë nëse Putini hyn në Ukrainë. Kështu që çmimi mund të jetë shumë i lartë për Putinin, si brenda ashtu edhe jashtë”, tha Fogh Rasmussen.

Sipas Anders Fogh Rasmussen, qëllimi afatgjatë i Rusisë është të parandalojë që Ukraina të bëhet ndonjëherë anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Ndërkohë kreu i Kremlinit Putin e ka bërë krejtësisht të qartë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe një zgjerim i aleancës më në lindje është një ‘vijë e kuqe’ që Rusia nuk mund ta pranojë. Ai e përsëriti këtë së fundmi në një konferencë për shtyp javën e kaluar.

“Në këtë situatë do të marrim masat e duhura ushtarake dhe teknike. Edhe një herë nuk jemi ne ata që po kërcënojmë askënd”, tha Putin me atë rast.