Vendosni fjalën kyçe....

Karl Nehammer betohet si Kancelari i ri i Austrisë, i treti në 2 muaj


Karl Nehammer u betua të hënën si kancelari i tretë i Austrisë në dy muaj, duke mbyllur një raund trazirash të shkaktuar në vend pas vendimit të Sebastian Kurz, për t’u larguar nga politika.

Nehammer pason diplomatin e karrierës Alexander Schallenberg, i cili mori detyrën më 11 tetor.

Nehammer, ka qenë ministër i Brendshëm i Austrisë që nga fillimi i vitit 2020. Siç raporton AP, ai gjithashtu po merr edhe postin e kreut të Partisë Popullore Austriake konservatore, të cilën Kurz e çoi në fitoret e zgjedhjeve në 2017 dhe 2019.

Presidenti Alexander Van der Bellen tha në një ceremoni betimi për qeverinë e riorganizuar se veprimi kundër pandemisë së koronavirusit duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë dhe e inkurajoi atë të rivendoste “besimin në politikë që, mendoj, është lëkundur për shumë njerëz në javët e fundit.”

Kujtojmë se Kurz dha dorëheqjen si kancelar në fillim të tetorit pasi prokurorët njoftuan se ai ishte një nga objektivat e një hetimi për ryshfet lidhur me ngritjen e tij në pushtet. Partnerët e vegjël të koalicionit të Kurzit, të Gjelbrit, kishin kërkuar zëvendësimin e tij në tetor. Ai u pasua si kancelar nga Alexander Schallenberg.

Javën e kaluar, Kurz i cili kishte mbajtur gjatë kësaj kohe udhëheqjen e partisë së tij – njoftoi se po largohej nga politika. Schallenberg më pas njoftoi dorëheqjen duke argumentuar se kancelari duhet të ishte lideri i Partisë Popullore dhe se ai nuk kishte në plan të kërkonte postin e partisë. Ministri i Financave Gernot Bluemel, një tjetër aleat i Kurzit, u largua gjithashtu nga politika.