Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: E jashtëligjshme publikimi i të dhënave të anëtarëve të PD-së, nuk janë autorizuar nga organet e partisë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me publikimin e emrave të delegatëve të Kuvendit nga nismëtarët e Foltores.

Sipas Bardhit anëtarët janë shqetësuar se po ia përdorin të dhënat pa të drejtë dhe pa autorizim.

Sipas numrit dy të PD-së dokumentet dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ i PD-së dhe përdorimi i tyre me simbole është i paligjshëm, i falsifikuar dhe ato janë të prodhuara nga persona ende të paidentifikuar.

Deklarata e plotë:

Të nderuar,

Në vijim të shqetësimit të shprehur nga disa anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PDSH për përdorimin pa të drejtë të të dhënave të tyre, në një dokument që përmban simbolet e Partisë Demokratike të Shqipërisë, kam konstatuar se:

Është e vërtetë që në media dhe në rrjetet sociale janë publikuar disa dokumente me simbole të Partisë Demokratike dhe të dhënat e anëtarëve të Partisë Demokratike dhe/ose anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PDSH. Këto dokumente dhe përdorimi i të dhënave të anëtarëve nuk është autorizuar nga asnjë organ përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe për pasojë ato janë dokumente të paligjshme dhe të falsifikuara, të prodhura nga persona të paidentifikuar dhe që nuk përfaqësojnë asnjë organ të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky veprim synon të dëmtojë interesin politik të Partisë Demokratike, duke e shfaqur atë në sytë e opinionit publik si një celulë ilegale, ku cilido për interesin e tij personal mund të përdor simbolet e PD apo të dhënat e anëtarëve të PD.

Në përputhje me nenin 6 të Statutit të PD, ku theksohet se simbolet e Partisë Demokratike përdoren vetëm nga organet përfaqësuese të PDSH-së ose me autorizim të tyre, kërkoj përcjelljen e informacionit të plotë dhe të dokumentuar mbi personat që në Degët respektive administrojnë, shpërndajnë apo prodhojnë dokumente të tilla të paligjshme dhe të falsifikuara, duke keqpërdorur të dhënat e anëtarëve të PDSH.

Duke ju uruar punë të mbarë,

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment Bardhi