Vendosni fjalën kyçe....

OBSH i emërton llojet sipas alfabetit grek, ‘Omicron’ përcaktohet si ‘shqetësues’


OBSH e klasifikon B.1.1.529 si ‘Omicron’, një variant shqetësimi për Covid

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur variantin e ri Covid-19 të zbuluar për herë të parë në Afrikën Jugore ‘Omicron’, tha agjensia shëndetësore e OKB-së pas një takimi të premten.

Agjencia globale e shëndetit u takua të premten për të emërtuar llojin B.1.1.529 dhe vendosi ta klasifikojë atë si një ‘variant shqetësues’, në vend të përcaktimit më pak serioz ‘variant që duhet patur kujdes’.

Varianti Delta, i cili shkaktoi rritje të infeksioneve Covid-19 në të gjithë globin pasi u zbulua për herë të parë në fund të dhjetorit 2020, u kategorizua gjithashtu si një variant shqetësues nga OBSH në fillim të këtij viti.

Agjencia përdori praktikën e emërtimit të varianteve sipas shkronjave në alfabetin grek, të paktën pjesërisht për të shmangur stigmat gjeografike që t’u ngjiteshin zonave ku ato u identifikuan për herë të parë.

Sa i përket Omicron, OBSH tha se lloji ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese.

“Dëshmitë paraprake sugjerojnë një rrezik në rritje të riinfeksionit me këtë variant, në krahasim me llojet e tjera,” tha agjencia.

Kjo deklaratë erdhi pasi zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, paralajmëroi qeveritë kundër vendosjes së kufizimeve të udhëtimit për të bllokuar përhapjen e Omicron. Ai tha se do të duhen disa javë që shkencëtarët të vlerësojnë se sa i transmetueshëm dhe virulent është varianti i ri, si dhe aftësia e tij për të shmangur imunitetin e shkaktuar nga vaksina.

Shumë vende po zgjedhin të veprojnë menjëherë me ndalimet e udhëtimit dhe karantinat në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e Omicron, në vend që të presin fillimisht për përfundimin e kërkimit.

Rasti i parë i konfirmuar në Evropë i variantit u identifikua të premten në Belgjikë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri thirrje që të gjitha udhëtimet ajrore midis BE-së dhe vendeve me raste të raportuara të Omicron të pezullohen ndërsa rreziqet po vlerësohen.